Kronologjia e konfliktit midis Indisë dhe Pakistanit
- India dhe Pakistani dy fuqi bërthamore që dolën pas rënies së Perandorisë britanike në vitin 1947, kanë zhvilluar gjashtë luftëra deri më sot. Qendra e pothuajse të gjitha konflikteve ka qenë Kashmiri, një rajon malor i ndarë midis dy vendeve, por të dyja e pretendojnë atë si territorin e tyre.
- Post By Fami Bajrami
- 09:32, 7 maj, 2025
Nju Delhi, 7 maj 2025 (MIA) – India dhe Pakistani dy fuqi bërthamore që dolën pas rënies së Perandorisë britanike në vitin 1947, kanë zhvilluar gjashtë luftëra deri më sot. Qendra e pothuajse të gjitha konflikteve ka qenë Kashmiri, një rajon malor i ndarë midis dy vendeve, por të dyja e pretendojnë atë si territorin e tyre.
Pasi të dy vendet fituan pavarësinë, rajoni ishte skenë e disa luftërave dhe gjakderdhjeve të shumta. India kontrollon pjesën më të madhe të territorit, ndërsa Pakistani e kundërshton sundimin e saj, duke përmendur popullsinë me shumicë myslimane. India është akuzuar për sulme dhe krime kundër civilëve, por militantët pakistanezë kanë kryer vazhdimisht sulme që mund të klasifikohen si terroriste.
Pasi britanikët u larguan nga nënkontinenti, dolën dy shtete të reja – Pakistani me shumicë myslimane dhe një Indi më e madhe, laike por me shumicë të besimit hindu. Ndarja çoi në një valë të madhe dhune dhe konflikti: rreth 500,000 njerëz vdiqën dhe shumë të tjerë mbetën pa strehë.
Vetëm dy muaj pas pavarësisë, shpërtheu lufta e parë. Pakistani mbështeti kryengritjen myslimane në Kashmir dhe sundimtari i atëhershëm i atij territori i kërkoi ndihmë Indisë. Në këmbim, ai pranoi që Kashmiri të bëhej pjesë e Indisë, por marrëveshja për këtë qëllim mbetet e diskutueshme deri më sot. Konflikti përfundoi më 1 janar të vitit 1949 me vendosjen e një linje armëpushimi.
Në prill të vitit 1965, shpërtheu një konflikt i ri për shkak të një mosmarrëveshje kufitare e cila u përshkallëzua kur Pakistani kaloi vijën e armëpushimit dhe hyri në territorin indian. India u përgjigj duke kaluar kufirin ndërkombëtar pranë Lahores. Të dyja palët përfundimisht ranë dakord për një armëpushim nën patronazhin e KB-së.
Gjashtë vjet më vonë, në vitin 1971, konflikti shpërtheu përsëri, këtë herë për shkak të luftës për pavarësinë e Pakistanit lindor i cili ndodhej në anën tjetër të Indisë. Ndërsa dhuna u përshkallëzua në luftë civile, rreth 10 milionë njerëz ikën në Indi. Ushtria indiane ndërhyri dhe Pakistani kapitulloi. Më shumë se 90,000 ushtarë pakistanezë përfunduan në robërinë indiane dhe më 6 dhjetor të vitit 1971 lindi një shtet i ri - Bangladeshi. Pakistani e njohu atë vetëm tre vjet më vonë.
Në vitin 1989, pas tërheqjes sovjetike nga Afganistani, militantët islamikë - të nxitur nga pakënaqësia në rritje midis popullsisë myslimane në Kashmir - nisën një kryengritje kundër sundimit indian. Pakistani pretendoi se po ofronte vetëm mbështetje “morale dhe diplomatike”, por India e akuzoi atë për trajnimin dhe armatosjen e separatistëve.
Një konflikt i ri i armatosur ndodhi në vitin 1999 kur luftëtarët pakistanezë zunë pozicione në pjesën indiane të Kashmirit pranë Kargilit. India u përgjigj me sulme ajrore dhe tensionet kërcënonin të përshkallëzoheshin në luftë të përgjithshme.
Mijëra njerëz ikën nga shtëpitë e tyre në të dyja anët e vijës kufitare. Në dhjetor të atij viti, gjenerali Pervez Musharaf organizoi një grusht shteti në Pakistan.
Në tetor të vitit 2001, 38 persona u vranë në një sulm ndaj asamblesë në Srinagar dhe një muaj më vonë 14 të tjerë vdiqën në një sulm ndaj parlamentit indian. India fajësoi përsëri militantët pakistanezë dhe të dy vendet grumbulluan trupa përgjatë kufirit.
Në janar të vitit 2002, presidenti pakistanez Pervez Musharaf premtoi se Pakistani nuk do t'i lejonte më terroristët të vepronin nga territori i tij, por India kërkoi hapa konkretë.
Nga 26 deri më 29 nëntor të vitit 2008, dhjetë sulmues nga grupi pakistanez Lashkar-e-Taiba kryen një sulm të koordinuar në Mumbai. Ata vranë 166 njerëz në disa vende - nga stacionet e trenave dhe kafenetë te spitalet dhe hotelet luksoze. Nëntë sulmues u vranë dhe një u kap. India pretendoi se grupi kishte lidhje me shërbimin e inteligjencës ushtarake të Pakistanit, gjë të cilën Pakistani e mohoi.
Në shkurt të vitit 2019, India kreu një sulm ajror ndaj asaj që e përshkroi si një kamp terroristësh në Balakot të Pakistanit. Një ditë më vonë, Pakistani nisi një kundërsulm.
Në përplasjen ajrore, Pakistani rrëzoi një aeroplan indian dhe kapi pilotin i cili u kthye në Indi disa ditë më vonë, duke shmangur kështu një konflikt më të madh.
Në prill të vitit 2025, në një vend turistik pranë qytetit Pahalgam në pjesën indiane të Kashmirit, persona të armatosur vranë të paktën 26 persona, kryesisht turistë indianë. India e quajti sulmin terrorist dhe tha se kishte "lidhje ndërkufitare" duke akuzuar Pakistanin për mbështetjen e tij. Përgjegjësinë për sulmin e mori grupi “Kashmir Rezistens” i afërt me atë që kreu masakrën e Mumbait.
Foto: arkiv i MIA-s