Kroatët votojnë në zgjedhjet presidenciale
- Në Kroaci sot do të mbahet rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale, pas zgjedhjeve parlamentare në prill dhe atyre evropiane në qershor, në të cilat do të marrin pjesë tetë kandidatë.
- Post By Arta Bunjaku
- 10:09, 29 dhjetor, 2024
Zagreb, 29 dhjetor 2024 (MIA) - Në Kroaci sot do të mbahet rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale, pas zgjedhjeve parlamentare në prill dhe atyre evropiane në qershor, në të cilat do të marrin pjesë tetë kandidatë.
Favorit është presidenti aktual, Zoran Millanoviq (58), i cili sërish hyri në garë për një mandat të ri pesëvjeçar si kandidat i Partisë socialdemokrate opozitare (SDP).
Anketat parazgjedhore parashohin se Millanoviq të dielën nuk do të mund të fitojë më shumë se 50 prë qind të votave, që është e domosdoshme për fitore në rreth të parë, por se në rrethin e dytë do të përballet me kandidatin e Lidhjes demokratike kroate në pushtet (HDZ), Dragan Primorac.
Të drejtë vote kanë pothuajse 3,8 milionë votues, prej të cilëve rreth 250.000 janë të regjistruar aktivisht jashtë vendit. Mbi 6.750 vendvotime do të hapen për zgjedhjet.
Mbyllja e vendvotimeve bëhet sot në orën 19, kur priten rezultatet e para nga anketat.
Komisioni shtetëror i zgjedhjeve do të fillojë me publikimin e rezultateve të para jo të plota prej orës 20.
Në këto zgjedhje presidenciale marrin pjesë tetë kandidatë, që është tre më pak se zgjedhjet e kaluara në vitin 2020.
Krahas Millanoviq dhe Primorac, mes më të rëndësishmëve janë edhe zëvendësja e platformës së gjelbër majtiste Mundemi, Ivana Kekin (40) dhe kandidatja e pavarur dhe deputete Maria Selak Raspudiq (42), e cila në Kuvend hyri në listën e partisë djathtiste Ura, të cilën ndërkohë e braktisi.
Hulumtimi i mendimit publik i agjencisë "Promocija plus" prej 19 deri më 23 dhjetor, në bazë të mostrës prej 1.000 të anketuarve, tregoi se Millanoviq ka mbështetje prej rerth 39,3 për qind e të anketuarve, ndërsa primorac 24,3 për qind. Selak Raspudiq ka rreth dhjetë për qind, ndërsa Kekan rreth tetë për qind.
Pothuajse dhjetë për qind e votuesve janë të papërcaktuar.
Këto janë zgjedhjet e teta presidenciale në Kroaci që nga pavarësia. Presidenti zgjedhet me mandat prej pesë viteve dhe mund të zgjidhet më së shumti dy herë.
Që nga pavarësia e kroacisë, Franjo Tugjman dhe Stjepan Mesiq ishin presidentë në dy mandate. Nga një mandat fituan Ivo Josipoviq dhe Kolinda Graba kitaroviq. presidenti aktual Zoran Millanoviq në këti gzjedhje lufton për mandatin e dytë. ab/