Krizë politike në Korenë e Jugut: Shpallet gjendje e luftës për shkak të "forcave antishtetërore"
- – Presidenti koreanojugor Jun Suk Joll sot shpalli “gjendje emergjente të luftës”, duke e akuzuar opozitën se e kontrollon Parlamentin, simpatizob Korenë e Veriut dhe paralizon funksionimin e Qeverisë përmes aktiviteteve antishtetërore.
- Post By Fitore Curri
- 18:12, 3 dhjetor, 2024
Seul, 3 dhjetor 2024 (MIA) – Presidenti koreanojugor Jun Suk Joll sot shpalli “gjendje emergjente të luftës”, duke e akuzuar opozitën se e kontrollon Parlamentin, simpatizob Korenë e Veriut dhe paralizon funksionimin e Qeverisë përmes aktiviteteve antishtetërore.
Jun, në fjalimin e tij televiziv, u zotua të "çrrënjosë forcat proveriore dhe të mbrojë rendin demokratik kushtetues."
Ky veprim u prit me kritika të ashpra, madje edhe nga udhëheqësi i partisë së tij konservatore, Han Dong-hun, i cili e quajti vendimin "të gabuar" dhe paralajmëroi se do ta kundërshtonte atë "së bashku me popullin".
Udhëheqësi i opozitës Li Xhae-Mjung, i cili humbi ngushtë ndaj Junit në zgjedhjet presidenciale të vitit 2022, e quajti shpalljen e gjendjes së luftës "të paligjshëm dhe antikushtetues".
Partia Demokratike, e cila është forca kryesore e opozitës, u ka bërë thirrje qytetarëve të mblidhen para Kuvendit Kombëtar, njoftoi agjencia e lajmeve e Koresë së Jugut, Jonhap. Forca të forta policore janë vendosur para Kuvendit, disa helikopterë po qarkullojnë dhe disa prej tyre kanë zbarkuar në ndërtesën e Kuvendit.
Ndërkohë, agjencia e lajmeve e Koresë së Jugut Jonhap raportoi se hyrja në ndërtesën e parlamentit është bllokuar. Sipas pamjeve nga jashtë parlamentit, shihen përleshje midis protestuesve dhe policisë ndërsa njerëzit përpiqen të hyjnë në Kuvendin Kombëtar.
what the hell is happening in south korea?
— Tiffany Fong (@TiffanyFong_) December 3, 2024
pic.twitter.com/5JqwPIMGvJ
Bi-Bi-Si njofton se aktualisht ka rreth 70 opozitarë në Kuvend, e pjesa tjetër po mblidhen jashtë. Pritet që kur të mbërrijë Kryeparlamentari Vu Von-shik, ai do të bëjë thirrje për votim për anulimin e gjedjes së luftës.
Bi-Bi-Si njofton se sipas dëshmitarëve okularë, ushtarët e forcave speciale janë në ndërtesën e Parlamentit.
Deputetët e partive opozitare u thirrën të mblidheshin në ndërtesën e parlamentit. Kreu i Partisë Demokratike Li Xhae-mjung tha se Parlamenti do të përpiqet ta shfuqizojë masën, duke e quajtur atë "jokushtetuese."
Shpallja e gjendjes së luftës vjen në një kohë kur Partia Popullore e Forcës e Junit dhe Partia Demokratike nuk mund të bien dakord për buxhetin e vitit të ardhshëm.
Sipas ligjit të Koresë së Jugut, Qeveria duhet të shfuqizojë gjendjen e luftës nëse shumica në Kuvendin Kombëtar e kërkon këtë përmes votimit. Ligjvënësit e opozitës, sipas përfaqësuesit Hong Ki-Von, u mblodhën brenda dhe rreth parlamentit, duke u përgatitur për një votim për të hequr masën, por më pas u përleshën me policinë.
Presidenti Jun deklaroi se "përmes kësaj gjendjeje të luftës, ai do të rivendosë dhe mbrojë Republikën e lirë të Koresë". Ai shtoi se do të eliminojë "forcat antishtetërore që kërcënojnë kombin" dhe u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë durim për "disa shqetësime".
Dekreti parashikon që kushdo që e shkel atë mund të arrestohet pa urdhër. Të gjitha mediat dhe botuesit do të jenë nën kontrollin e komandës ushtarake, ndërsa aktivitetet e parlamentit dhe partive politike do të ndalohen.
Jun deklaroi se nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të ndërmerrte këtë masë për të mbrojtur rendin e lirë dhe kushtetues, pasi partitë opozitare në Korenë e Jugut kishin "kapur" procesin parlamentar. "Unë po shpall gjendje lufte për të mbrojtur Republikën e lirë të Koresë nga kërcënimi i forcave komuniste të Koresë së Veriut, për të zhdukur forcat e neveritshme antishtetërore pro-veriore që plaçkitin lirinë dhe lumturinë e popullit tonë dhe për të mbrojtur rendin e lirë kushtetues," tha ai.
Një komentues politik i Koresë së Jugut vlerësoi lëvizjen e Presidentit Jun Suk-joll për të shpallur gjendje lufte si një "çështje thjesht të brendshme politike".
Presidenti ka refuzuar më parë thirrjet për hetime të pavarura për skandalet që përfshijnë gruan e tij dhe zyrtarë të lartë.
Komentatori politik Henri Shin i tha "Sky News"-it se presidenti po i përdor këto hetime për të argumentuar se forcat proveriore po përpiqen të përmbysin qeverinë.
Presidenti i përshkruan këto hetime si "procedura të impiçmentit" ose hetime që "në mënyrë të pashmangshme do të çonin në impiçment," shprehet Shini.
Jun — rejtingu i mbështetjes i të cilit është ulur në muajt e fundit — ka luftuar për të shtyrë agjendën e tij kundër një parlamenti të kontrolluar nga opozita që nga marrja e detyrës në vitin 2022.
Partia Popullore konservatore e Junit është në kundërshtim me Partinë opozitare Demokratike Liberale lidhur me buxhetin e vitit të ardhshëm. Opozita po përpiqej gjithashtu të kalonte propozime për fajësimin e tre kryeprokurorëve, përfshirë kreun e Prokurorisë për Qarkun Qendror në Seul, të cilin konservatorët e quajtën "hakmarrje" për hetimet e tyre penale kundër Liut, i cili konsiderohet në sondazhe si favorit për zgjedhjet e ardhshme presidenciale të vitit 2027.
Ndërkohë, pas shpalljes së gjendjes së luftës, që do të thotë sundim i përkohshëm i autoriteteve ushtarake gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, kur autoritetet civile nuk mund të funksionojnë siç duhet, voni i Koresë së Jugut ra në nivelin më të ulët në dy vitet e fundit.
Vlera e monedhës ra në 1,430.82 von për dollar, niveli më i ulët që nga tetori i vitit 2022.
"Kjo është shkaktuar nga pasiguria... një nga ato lëvizjet" qëllo së pari, pastaj bëj pyetje "," tha Kristofer Vong, strateg i kursit devizor dhe interesit në OCCB në Singapor. "Duke marrë parasysh mungesën e informacioneve, pasiguria mund të vazhdojë ta mbajë ekonominë koreane nën presion në të ardhmen e afërt," shtoi ai.