• e hënë, 23 dhjetor 2024

Kremlini: Shpërthimet e pejxherëve në Liban mund të nxitin konflikt më të gjerë rajonal

Kremlini: Shpërthimet e pejxherëve në Liban mund të nxitin konflikt më të gjerë rajonal

Moskë, 18 shtator 2024 (MIA) – Kremlini sot paralajmëroi se sulmi me pejxherë të shpërthyer ndaj grupit libanez Hezbollah mund të shkaktojë konflikt më të gjerë rajonal dhe bëri thirrje për hetim që të identifikohen kryerësit. 

Mijëra pejxherë dje kishin shpërthyer në sulmin përgjatë Libanit, me çka humbën jetën 12 persona, ndërsa janë plagosur gati 3.000, duke përfshirë edhe luftëtarë të Hezbollahut dhe ambasadorin iranian në Bejrut. 

Një burim  i lartë libanez i sigurisë dhe burim tjetër për mediat britanike deklaruan se shërbimi i inteligjencës izraelite Mosad ka vendosur shpërthime në 5.000 pejxherë të importuar nga grupi libanez Hezbollah disa muaj para shpërthimeve. 

Kompania e Tajvanit, pejxherët e të cilës janë në pyetje, njoftoi se nuk ka kurrfarë lidhje me ata dhe se për ata është përgjegjëse një kompani me seli në Hungari, e cila ka të drejtë ta shfrytëzojë brendin e tyre në prodhimtarinë e pejxherëve. 

“Ajo që ndodhi, çfarëdo qoftë ajo, sigurisht që çon në përshkallëzim të tensioneve. Vetë rajoni (Lindja e Afërt) është në gjendje shpërthyese dhe sigurisht një incident si ky, cilido qoftë, ka potencialin të jetë shtysë që situata të dalë jashtë kontrollit”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov.

“Kuptohet, ne besojmë se duhet të bëhet hetim i hollësishëm për këtë incident, për të vërtetuar shkaqet dhe rrethanat e asaj që ndodhi dhe sigurisht për të identifikuar përgjegjësit e këtyre shpërthimeve masive të pajisjeve të komunikimit”, tha ai.

Peskovi theksoi se gjetjet nga hetimi i tillë do tu mundësojnë ekspertëve që ta eliminojnë rrezikun që një gjë e tillë të ndodhë në Rusi ose në ndonjë vend tjetër. 

Ministria ruse e Punëve të Jashtme paraprakisht sot njoftoi se sulmi ishte pjesë e luftës hibride kundër Libanit në të cilën humbën jetën mijëra njerëz të pafajshëm.

“Duket se organizatorët e këtij sulmi të teknologjisë së lartë kanë dashur qëllimisht të nxisin konflikt të armatosur në shkallë të gjerë për të provokuar luftë më të gjerë në Lindjen e Afërt”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtmetë Rusisë, Maria Zaharova. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR