Kremlini: Putini ia bëri të qartë Perëndimit për pasojat nga raketat me rreze të gjatë veprimi për Ukrainën
- – Presidenti rus Vladimir Putin i dërgoi porosi të qartë Perëndimit për pasojat e lejimit të Ukrainës që ta sulmojë territorin rus me raketa perëndimore me rreze të gjatë veprimi, deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov.
- Post By Fitore Curri
- 15:15, 13 shtator, 2024
Moskë, 13 shtator 2024 (MIA) – Presidenti rus Vladimir Putin i dërgoi porosi të qartë Perëndimit për pasojat e lejimit të Ukrainës që ta sulmojë territorin rus me raketa perëndimore me rreze të gjatë veprimi, deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov.
Putini dje deklaroi se Perëndimi drejtpërdrejtë do të luftojë me Rusinë nëse i lejon Ukrainës të sulmojë objektiva në territorin rus me raketa perëndimore me rreze të gjatë veprimi, hap që sipas tij do ta ndryshojë natyrën dhe shtrirjen e konfliktit.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov, tha se nuk ka dyshim se porosia e Putinit ka shkuar te ata për të cilët ishte e dedikuar.
Për propozimin e Putinit që të kufizohet eksporti i metaleve ruse, Peskovi tha se kjo është ftesë për personat zyrtarë të mendojnë për këtë, ndërsa masa konkrete në këtë drejtim ende nuk ka.
Zëdhënësi i Kremlinit, theksoi se propozimi është reagim i sanksioneve perëndimore ekonomike dhe nuk ka lidhje me çështjen e përdorimit të raketave perëndimore me rreze të gjatë veprimi nga ana e Ukrainës.
“Nuk ka asnjë lidhje mes këtyre gjërave. Ajo lidhet me praktikën e kufizimeve të paligjshme të tregtisë, tentativa ndaj vendit tonë për t'iu drejtuar vazhdimisht kufizimeve të reja e të reja tregtare. Nuk ka ende specifika, ishte një propozim për të menduar pa dëmtuar njëri-tjetrin, pa dëmtuar interesat tona. Ata (Qeveria) do ta shqyrtojnë atë”, tha Peskov.
Kremlini u përmbajt nga komentet pasi Ukraina tha se Rusia dje ka shfrytëzuar bombardues strategjikë që të sulmojë një anije civile me grurë në ujërat e Detit të Zi në afërsi të Rumanisë.
Ukraina dhe Rumania e dënuan sulmin ndaj anijes, e cila transportonte grurë ukrainas në Egjipt dhe ishte goditur menjëherë pas lëshimit të ujërave territoriale ukrainase. fc/
Fotografia: Arkivi i MIA-s