Kremlini: Putini dhe Trampi biseduan për ndeshje të hokejit midis dy vendeve
- Presidentët e SHBA-së dhe Rusisë, Donald Trampi dhe Vladimir Putini, kanë biseduar për mundësinë e mbajtjes së një sërë ndeshjesh të hokejit mes dy vendeve, njoftoi Kremlini.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 13:20, 19 mars, 2025

Moskë, 19 mars 2025 (MIA) - Presidentët e SHBA-së dhe Rusisë, Donald Trampi dhe Vladimir Putini, kanë biseduar për mundësinë e mbajtjes së një sërë ndeshjesh të hokejit mes dy vendeve, njoftoi Kremlini.
Sipas Moskës, Truampi e mbështeti iniciativën e Putinit për organizimin e ndeshjeve në SHBA dhe Rusi, me pjesëmarrjen e ligave të hokejve të të dy vendeve.
Në kumtesën zyrtare të Shtëpisë së Bardhë për bisedën nuk përmendet hokeji, ndërsa Liga Kombëtare e Hokejve (NHL) e SHBA-së deklaroi se për idenë ka kuptuar vetëm pas përfundimit të bisedës.
"Për sa i përket bisedës mes presidentëve Tramp dhe Putin, NHL nuk ishte pjesë e atyre diskutimeve dhe nuk do të ishte e përshtatshme për ne që të komentonim në këtë moment", theksohet në deklaratën e ligës.
Dihet se presidenti rus Vladimir Putini është një tifoz i zjarrtë i hokejit dhe shpesh merr pjesë në ndeshjet ekzibicioniste. Ai ishte i pranishëm edhe në ndeshjen mes Rusisë dhe SHBA-së në Lojërat Olimpike Dimërore në Soçi në vitin 2014, e cila përfundoi me fitoren e amerikanëve me penallti.
Rivaliteti i hokejit midis SHBA-së dhe Rusisë ka një traditë prej dekadash, duke filluar me Lojërat Olimpike në Lejk Plesid të vitit 1980, kur amatorët amerikanë mposhtën papritur ekipin e atëhershëm sovjetik në atë që u bë e njohur si "Mrekullia e Akullit".
Foto: Arkivi i EPA-s