Kremlini bëri thirrje për përmbajtje në Lindjen e Mesme pas sulmit iranian ndaj Izraelit
- Zëdhënësi i Kremlinit, Dimitrij Peskov sot informoi se gjendja në Lindjen e Mesme po shkon në drejtim alarmues dhe u bëri thirrje të gjitha palëve për përmbajtje.
- Post By Qefsere Abduli
- 13:03, 2 tetor, 2024
Moskë, 2 tetor 2024 (MIA) - Zëdhënësi i Kremlinit, Dimitrij Peskov sot informoi se gjendja në Lindjen e Mesme po shkon në drejtim alarmues dhe u bëri thirrje të gjitha palëve për përmbajtje.
Peskov theksoi se Rusia ka kontakt me të gjitha palët në konflikt dhe e dënoi çdo aksion që shkakton viktima në civil.
Garda revolucionare e Iranit mbrëmë njoftoi se ka hedhur më shumë se 180 raketa drejt Izraelit në përgjigje të vrasjeve të fundit të liderit politik të Hamasit, Ismail Hanija, liderit të Hezbollahut, Hasan Nasralla dhe zëvendëskomandantit operativ të Gardës revolucionare të Iranit, Abas Nilforushan, njoftuan mediat britanike.
Pas sulmit të mbrëmshëm iranian, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu deklaroi se Irani ka bërë "gabim të madh" dhe se "do të paguaj për këtë". qa/
Foto: arkivi i MIA-s