• e premte, 05 dhjetor 2025

KPMD apelon deri te KSHZ që të përmbushen rekomandimet për diskriminimin e konstatuar, ndërsa politikanët të përmbahen nga gjuha e urrejtjes në periudhën zgjedhore

KPMD apelon deri te KSHZ që të përmbushen rekomandimet për diskriminimin e konstatuar, ndërsa politikanët të përmbahen nga gjuha e urrejtjes në periudhën zgjedhore

Shkup, 2 tetor 2025 (MIA) - Në prag të zgjedhjeve lokale, Komisioni për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi (KPMD) apelon që të respektohen rekomandimet nga opinionet e miratuara, me të cilat konstatohen raste diskriminimi ndaj grupeve të ndryshme të qytetarëve gjatë procesit të realizimit të së drejtës së votës.

Komisioni, në një komunikatë për mediat, kujton se më 9 gusht të vitit 2021 "u konstatua diskriminim i drejtpërdrejtë i kryer nga ana e KSHZ-së dhe diskriminim indirekt që rrjedh nga dispozitat e Kodit zgjedhor, bazuar në moshë, në ushtrimin e së drejtës për votë nga personat që mbushën 18 vjeç, ndërmjet dy raundeve të zgjedhjeve presidenciale në vitin 2019".

"Këta persona, për shkak të dispozitave të Kodit zgjedhor, nuk kanë mundur të regjistrohen në Listën zgjedhore ndërmjet dy raundeve, ndërsa janë penguar të ushtrojnë të drejtën e votës të garantuar me Kushtetutë. Për më tepër, Komisioni për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi, më 3 dhjetor të vitit 2021, miratoi një rekomandim të përgjithshëm me të cilin i sugjeroi Komisionit Shtetëror Zgjedhor të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar qasjen dhe përshtatjen e duhur të vendvotimeve, duke mundësuar kështu një qasje të barabartë për personat me aftësi të kufizuara në dhe ndaj vendvotimeve në të gjithë vendin. Këto masa dhe veprime duhet të sigurojnë që procedurat e votimit, objektet dhe materialet të jenë të përshtatshme, të qasshme dhe të kuptueshme për personat me aftësi të kufizuara, me qëllim që të realizohet e drejta e tyre për pjesëmarrje në jetën publike dhe politike në mënyrë të barabartë me të tjerët. Kujtojmë se me ndryshimet e fundit në Kodin zgjedhor, për kushtet e qasjes për të gjitha kategoritë e personave me aftësi të kufizuara në objektet ku ndodhen vendvotimet kujdesen institucionet dhe organet përkatëse, në pronësi të të cilave janë objektet", informon Komisioni.

KPMD apelon te Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë që "në kohë dhe në mënyrë të azhurnuar të dorëzojë të dhënat te Komisioni Shtetëror Zgjedhor për të gjithë personat që qëndrojnë në institucione publike dhe private për mbrojtjen e të moshuarve, dmth në shtëpi të të moshuarve, në mënyrë që edhe këta persona të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre për votë".

"Gjithashtu, kujtojmë se me procesin e deinstitucionalizimit rreth 300 persona jetojnë në një formë të re të mbrojtjes, gjegjësisht jetojnë me mbështetje në njësi banimi, por që me vendimin për vendosje ende regjistrohen si persona të strehuar në institucionet e mbrojtjes sociale për personat me aftësi të kufizuara (në adresat e Institutit special Demir Kapijë, Institutit për mbrojtje dhe rehabilitim të fëmijëve dhe të rinjve – Shkup, Institutit për mbrojtje dhe rehabilitim "Banja Bansko" – Strumicë). Për të mundësuar ushtrimin pa pengesa të të drejtës për votë të këtyre personave, në mënyrë të barabartë me të tjerët, është e nevojshme që KSHZ-ja të sigurojë vendvotime alternative në vendet ku këta persona qëndrojnë aktualisht, sipas parimit të votimit për personat të sëmurë dhe të paaftë", apelon KPMD. qa/

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR