• e hënë, 23 dhjetor 2024

Kovaçevski: Qeveria është e qëndrueshme, nuk ka nevojë për koalicion të gjerë

Kovaçevski: Qeveria është e qëndrueshme, nuk ka nevojë për koalicion të gjerë
Shkup, 7 tetor 2022 (MIA) - Qeveria është e qëndrueshme dhe shumica parlamentare mundëson funksionimin normal të saj përkundër zhvillimeve në BDI. Me Ali Ahmetin kam takime të rregullta, por nuk mund të ndërhyj në punët e tyre të brendshme partiake, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski në një intervistë për TV21. Ai tha se nuk mund të flasë në emër të deputetëve të BDI-së, por beson se qeveria do të vazhdojë të ketë përkrahje nga tre deputetë të kësaj partie. Hyrja e partisë Aleanca për Shqiptarët në qeveri nuk është diskutuar me liderin e ri Arben Taravari, por ai tha se çdo mbështetje për rrugën evropiane të vendit dhe masat për përballimin e krizës ekonomike dhe energjetike dhe të gjitha sfidave të vendit është mbështetje për të cilën duhet diskutuar dhe përshëndetur. "Në paraqitjen e fundit në Kuvend thashë se tani është koha kur duhet të bashkohemi sepse kemi përpara realizimin e synimeve strategjike të shtetit - vazhdimin e rrugës drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian dhe mundësimin e rrugës më të mirë për t'u përballur me krizën energjetike dhe ekonomike në të cilën ndodhet edhe vendi dhe i gjithë kontinenti evropian. Nuk e kam takuar zotin Taravari, por gjithmonë kam pasur kontakte me deputetët e partisë Aleanca, tha Kovaçevski në emisionin “Klik Plus” në TV21. Ai nuk konsideron se ka nevojë të formohet një koalicion i gjerë në të cilin do të ishte edhe VMRO-DPMNE, si në vitin 2001, sepse, tha ai, nuk konsideron se vendi aktualisht është në krizë politike apo ushtarake. "Unë besoj se qeveria ka kapacitetin absolut për t'u marrë me të gjitha këto çështje dhe këtë e ka konfirmuar që nga themelimi i saj - edhe kjo qeveri edhe ajo e mëparshme e kësaj shumice parlamentare, sepse e përballoi me sukses krizën e koronës, me efektet negative ekonomike që kishte në atë kohë dhe mendoj se do të përballemi me sukses edhe tani, por së bashku me të gjithë qytetarët dhe përfaqësuesit në Kuvend, theksoi Kovaçevski. Pas humbjes në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar dhe rënies së vlerësimit, LSDM-ja tani është absolutisht e konsoliduar, shtoi kryeministri dhe lideri i kësaj partie, ndërsa konfirmim për këtë, theksoi ai, janë rezultatet e mira të partisë me koalicionin në zgjedhjet e reja në Mavrovë dhe Rostushë të Tetovës dhe Qendër Zhupë. ls/

QËNDRONI TË LIDHUR