• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Kovaçevski: Nuk do të ketë goditje çmimesh me rrymën nëse përdoret për nevojat elementare të amvisërive

Kovaçevski: Nuk do të ketë goditje çmimesh me rrymën nëse përdoret për nevojat elementare të amvisërive

Shkup, 11 dhjetor 2023 (MIA) - Kryeministri Dimitar Kovaçevski sot ka thënë se nuk do të ketë goditje të çmimeve të rrymës nëse përdoret për nevojat elementare të amvisërive dhe se do të paguajnë më shumë ata që do ta përdorin për qëllime luksoze.

Duke theksuar se çmimi i energjisë elektrike në shtet përcaktohet nga Komisioni Rregullator Energjetik (KRRE), Kovaçevski tha se blloku tarifor i parë dhe i dytë mbulojnë deri në 98 për qind të amvisërive në vend dhe për to, siç tha ai, “nuk do të ketë asnjë ndryshim në çmim pasi edhe nuk ka pasur sepse nuk kemi lejuar goditje të çmimeve për qytetarët”.

"Blloku i tretë dhe i katërt janë një numër më i vogël i amvisërive që kanë konsum më të lartë të energjisë elektrike. Në bllokun e katërt janë amvisëritë që sipas të ardhurave, sipas mundësive, ngrohin hapësira më të mëdha, pishina etj. Secili mund ta bëjë atë sipas mundësive të tij, por do të paguajë më shumë rrymë sepse, të mos harrojmë, ne subvencionojmë deri në 90 për qind që të mos kemi goditje të çmimeve", tha Kovaçevski duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve pas Prezantimit të pajisjes së re për gjenetikë në ASHAM.

Tarifa e lirë gjatë ditës, sipas tij, është bërë në bazë të një kalkulimi që përcakton konsumin mesatar të energjisë elektrike gjatë 24 orëve dhe në bazë të supozimit të rritjes së konsumit nga ora 13 deri në orën 15 pasdite për diçka që është bërë më herët ose më vonë. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR