• e hënë, 23 dhjetor 2024

Kovaçevski: Mbështetja e Bankës Botërore përcakton rrugët solide për rritje më të shpejtë ekonomike duke lehtësuar kështu rrugën tonë drejt BE-së

Kovaçevski: Mbështetja e Bankës Botërore përcakton rrugët solide për rritje më të shpejtë ekonomike duke lehtësuar kështu rrugën tonë drejt BE-së

Shkup, 1 dhjetor 2023 (MIA) - Mbështetja 30-vjeçare e Bankës Botërore vendos rrugë solide për implementimin e reformave që çojnë në rritje dhe zhvillim më të shpejtë ekonomik, duke lehtësuar kështu rrugën tonë drejt përmbushjes së qëllimit tonë të caktuar, që është pranimi në BE, theksoi kryeministri Dimitar Kovaçevski në konferencë kushtuar partneritetit 30-vjeçar me Bankën Botërore.

“Kjo miqësi e përbashkët, në të cilën marrin pjesë institucionet shtetërore, që janë në kuadër të Qeverisë dhe Bankës Kombëtare, është një bashkëpunim jashtëzakonisht i rëndësishëm kryesisht për qytetarët tanë, jo vetëm për shkak të mbështetjes financiare që marrim nga Banka Botërore, por edhe për shkak të transferimit të njohurive dhe ekspertizës që padyshim na çojnë drejt arritjes së qëllimeve dhe vlerave tona strategjike”, tha Kovaçevski.

Ai shtoi se Banka Botërore ka qenë partneri strategjik i Maqedonisë për 30 vjet dhe mbështet zhvillimin dhe përparimin e vendit përmes projekteve investuese me vlerë gati tre miliardë dollarë në fusha të ndryshme.

"Partneriteti ynë shumëvjeçar me Bankën reflektohet në zbatimin e projekteve të shumta në fushën e infrastrukturës rrugore, ndërtimin e kopshteve dhe shkollave, zhvillimin e rrugëve, lehtësimin e tregtisë dhe transportit në Ballkanin Perëndimor, lidhjen e rrugëve lokale, modernizimin e bujqësisë, promovimin e shërbimeve sociale, avancimin e arsimit fillor, praktikisht në të gjitha fushat e jetës sonë", tha Kovaçevski.

Drejtori i Bankës Botërore për Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën Masimiliano Paluçi tha se sipas diagnostikimit më të fundit ekonomik të Bankës Botërore për vendin, furnizimi i njerëzve me shkathtësi cilësore dhe relevante gjatë gjithë jetës së tyre, heqja e pengesave për pjesëmarrje në tregun e punës, veçanërisht për gratë dhe të rinjtë, dhe përmirësimi i qasjes në shërbime publike cilësore për kategoritë e rrezikuara dhe zonat rurale duhet të mbetet prioritet për vendin.

Nënkryetarja e Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, Antonella Basani, vendi ka siguruar mjedis të qëndrueshëm dhe ka tërhequr investime private, duke nxitur kështu pjesërisht eksportet në sektorin e prodhimit.

"Projekti i parë i Bankës Botërore për Maqedoninë e Veriut, me vlerë 80 milionë dollarë, u aprovua në vitin 1994 për të mbështetur programin e reformës ekonomike të vendit. Në atë kohë, inflacioni vjetor në vend ishte rreth 200 për qind, ndërsa Maqedonia e Veriut ishte në prag të kolapsit ekonomik dhe presioneve të pakontrolluara shoqërore. Që atëherë, me koston e tre dekadave të tranzicionit, Maqedonia e Veriut ka përjetuar rritjen më të qëndrueshme ekonomike në Ballkanin Perëndimor", theksoi Basani.

Në panelin e parë të diskutimit me temë "Plakja dhe migrimi: Sfidat e dyfishta demografike të Maqedonisë së Veriut", u drejtuan ministri i Financave Fatmir Beismi dhe ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Jovanka Trençevska.

Ministri Besimi tha se në 20 vitet e fundit migrimi dhe ulja e nivelit të lindjeve kanë kontribuar në uljen serioze të kapitalit njerëzor dhe se këto janë sfida serioze që nuk mund të ndryshohen brenda natës.

"Jemi duke punuar në disa dokumente. Të gjithë kanë një emërues të përbashkët, e ai është kapitali njerëzor, i cili kërkon reforma të sistemit ekzistues, më shumë investime dhe qëndrueshmëri të politikave, sepse efektet e reformave nuk do të shihen në afat të shkurtër, por në afat të mesëm dhe të gjatë", tha Besimi.

Sipas ministres Trençevska, migrimi ka implikime serioze për rritjen dhe produktivitetin sepse me plakjen e popullsisë, ka mungesë të fuqisë të kualifikuar punëtore.

"Largimi i trurit mund të çojë në boshllëqe të konsiderueshme në sektorët jetikë dhe të zvogëlojë produktivitetin. Plakja dhe migrimi gjithashtu rrisin presionin mbi sistemin e mbrojtjes sociale në Maqedoninë e Veriut dhe nevojën për të ofruar shërbime publike", tha Trençevska.

Ajo theksoi se Ministria e Punës dhe Politikës Sociale po punon në mënyrë aktive për të parandaluar pasojat negative të tendencave të migracionit dhe se ato sfida mbulohen në Strategjinë e demografisë.

Në kuadër të konferencës, u mbajt panel i dytë diskutimi me temë “Investimet kapitale njerëzore për plakjen më prosperuese në Maqedoninë e Veriut”, ku përveç përfaqësuesve të Bankës Botërore dhe ekspertëve të tjerë të fushës, folën edhe zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike dhe Investime Fatmir Bytyqi dhe ministri i Arsimit Jeton Shaqiri. 

Foto: MIA

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR