Kovaçevski: Koha është për vendime të mençura – propozimi i përfshin vërejtjet tona dhe ka qëndrim të qartë për gjuhën
- Post By Besnik Shuki
- 16:02, 3 korrik, 2022
Shkup, 3 korrik 2022 (MIA) – Kemi propozim, i cili i përfshin vërejtjet tona dhe qëndrimet qartë të shprehura dhe për këtë nuk duhet të kemi kurrfarë dilema. Në propozimin evropian kemi pozita të definuara për njohje të qartë dhe të padyshimtë të gjuhës maqedonase. Kjo ishte çështje më e rëndësishme për ne dhe për këtë dua të jem kristalisht i qartë. Gjuha maqedonase është absolutisht e pastër dhe e barabartë me gjuhët tjera të BE-së pa kurrfarë fusnotash, yje dhe risqarime, deklaroi kryeministri Dimitar Kovaçevski pas takimit me liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski në Klubin e deputetëve, në kuadër të konsultimeve të gjera lidhur me propozimin francez për fillim të negociatave aderuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut me BE-në.
Kovaçevski theksoi se propozimi i vendos çështjet bilaterale dhe historike jashtë kornizës negocuese.
“Çështjet e hapura duhet të mbyllen, por për këtë do të kemi kohë derisa të njëjtat nuk janë dinjitoze për të dy palët. Bashkimi Evropian potencoi se kjo duhet të zgjidhet në bazë bilaterale dhe për këtë shkak kjo nuk është assesi pjesë e kornizës për negociata. Marrëdhëniet e mira fqinjësore si të tilla janë fundament i BE-së. Ne jemi pajtuar se do ta pranojmë këtë si fakt që në vitin 2001 kur u nënshkrua Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim. Në atë frymë, sipas atij parimi dhe sipas asaj prakse të vendosur, obligimi i jonë si antare e Unionit do të jetë që të punojmë në marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe këtë do ta bëjmë përmes përmbushjes së Marrëveshjes për fqinjësi të mirë, ashtu siç e bëjmë edhe me përmbushjen e Marrëveshjes nga Prespa”, tha kryeministri.
Ai potencoi se protokolli mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë nuk u notua dhe nuk është pjesë e kornizës negocuese. Ky është dokument bilateral, i cili nuk është pjesë e paketës evropiane.
“Ky propozim i fundit evropian mundëson fillim të pakushtëzuar të negociatave aderuese të Maqedonisë së Veriut me BE-në dhe operacionalizimin e vendimit të Këshillit Evropian nga marsi i vitit 2020. Negociatat me BE-në do të mund t’i fillojmë menjëherë pas miratimit të vendimit tonë për pranimin e propozimit”, tha Kovaçevski.
Ai u bëri thirrje të gjithë faktorëve politikë që ta marrin parasysh madhësinë e detyrës dhe të veprojnë në mënyrë konstruktive, me përgjegjësi dhe si burrështetas.
Ai tha se Qeveria me dinjitet u përmbahet pozitave shtetërore lidhur me negociatat me Bullgarinë në çdo pikëpamje, e mbron interesin kombëtar dhe gjuhën dhe identitetin maqedonas.
Kjo, sipas tij, është moment historik për vendin, një nga të paktët siç janë pavarësia e Republikës së Maqedonisë, Marrëveshja e Ohrit, Marrëveshja e Prespës. bsh/