• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Kovaçevski: Investimi "e.GO" në ZZHTI Tetovë është me rëndësi të madhe për shtetin dhe ekonominë lokale

Kovaçevski: Investimi
Shkup, 13 gusht 2022 (MIA) - Sot do të hidhen themelet për investimin, i cili vetëm në fazën e parë peshon 130 milionë euro dhe do të hapë së paku 890 vende të reja pune që do të paguhen mirë. Ky investim është me rëndësi të madhe për shtetin, por edhe për ekonominë lokale dhe zhvillimin e potencialit njerëzor, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski në fjalimin e tij me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes në ZZHTI Tetovë, e cila parasheh prodhimin e plotë të automobilave elektrik "e.GO". Me këtë investim të rëndësishëm, siç tha kryeministri, Maqedonia e Veriut edhe një herë konfirmon se është një vend që ofron kushte të shkëlqyera për investitorët, me klimë të qëndrueshme ekonomike dhe politike në të cilën kompanitë ndërkombëtare si "NEXTE.E.GO" kanë ë partner të besueshëm. "Ajo që më gëzon veçanërisht është se për herë të parë në vendin tonë do të prodhohet automobil i plotë. Në Maqedoninë e Veriut deri më tani prodhoheshin pjesë për vetura të markave botërore, por tani kemi prodhimin e plotë të produktit final pikërisht këtu tek ne. Dhe kjo është një punë vërtet e madhe", tha Kovaçevski. Ai përmendi se investimet e tilla, fabrikat e tilla do të ndryshojnë arsimin në shtet, meqë do të krijojnë nevoja të reja që do të jenë të domosdoshme. "Automobili elektrik "e-Go" që do të prodhohet këtu në ZZHTI në Tetovë është i dobishëm për mjedise urbane, në të njëjtën kohë i qëndrueshëm, inovativ, ekonomik dhe pa emetim të dëmshëm të gazrave. Kjo, ndër të tjera, është investimi ynë për brezat e ardhshëm. Fabrika, e cila do të ndërtohet këtu në zonën ZZHTI në Tetovë, është pjesë përbërëse e kapacitetit prodhues global të "e-Go", me qëllim të furnizimit të tregut kombëtar dhe ndërkombëtar të eksportit", tha Kovaçevski. Sipas kryeministrit, investime të tilla janë dëshmi se Qeveria shfrytëzon me sukses të gjithë mekanizmat e nevojshëm që ofrojnë rezultatet e pritura, duke krijuar kushte për rritje dhe zhvillim të mëtejshëm më të shpejtë dhe të qëndrueshëm ekonomik. "Në zonat zhvillimore teknologjike industriale në gjashtëmujorin e parë janë arritur marrëveshje për investimi në vlerë prej 240 milionë euro, e potencialisht deri në fund të vitit pritet përmbyllja e dy marrëveshjeve të tjera në vlerë prej 160 milionë euro. Unë asnjëherë nuk kam paralajmëruar investime dhe ky është një investim që ishte i sigurt se do të ndodhte. Lëmë që fillimisht të dakordohen të gjitha detajet dhe më pas për befasinë e gjithë opinionit, sepse po i shoh shkrimet në media, mësuam se do të ketë investim në Republikën e Maqedonisë së Veriut, i cili do të jetë 130 milionë euro, dhe do të fillojë me rreth 900 të punësuar. Dhe ka ende investime të tilla, nga investitorë të tjerë, ndërsa ne do t'ua lëmë këtë investitorëve së bashku me institucionet që do ta paralajmërojnë dhe do të ndodhë shumë shpejt", tha Kovaçevski. Ai informoi se numri i përgjithshëm i të punësuarve në korrik është rritur dhe ka arritur në mbi 15 mijë të punësuar, që është për 6 për qind më shumë në krahasim me korrikun e vitit të kaluar, respektivisht 14,5 për qind më shumë krahasuar me korrikun e vitit 2020. "Vazhdon trendi pozitiv i rritjes që nga fillimi i vitit në raport me eksportin dhe importin. Në shtatë muajt e parë të vitit 2022, eksportet nga ZZHTI arritën pothuajse dy miliardë euro, që është më i larti në katër vitet e fundit. E të mos harrojmë se punojmë në dy vitet më kritike pas Luftës së Dytë Botërore. Vetëm në korrik të këtij viti kompanitë në ZZHTI kanë eksport prej 280 milionë eurosh, që është 25% më shumë se korriku i vitit të kaluar", shtoi kryeministri. Sipas Kovaçevskit, pandemia ka treguar se në Evropë mund të prodhohen shumë më tepër mallra të domosdoshme dhe të sigurohet kursim i shpenzimeve që përndryshe i kemi për transport dhe logjistikë nga vendet e largëta, veçanërisht nga Lindja. "Maqedonia e Veriut e shfrytëzoi këtë duke krijuar një ambient për investime të reja. Ne jemi anëtare të NATO-s dhe pozicioni ynë është edhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian me bisedime të nisura, kështu që investitorët e dinë se kanë siguri dhe ambient të parashikueshëm afarist, që është edhe përparësia jonë në rajon. Dhe do ta përsëris edhe një herë, që nga 19 korriku, kur mbajtëm konferencën e parë ndërqeveritare me Bashkimin Evropian, ky vend do të ecë vetëm përpara. Nuk do të kthehet, as majtas dhe aq më pak djathtas. Shteti do të ecë përpara, në anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian, sepse ua kemi borxh qytetarëve, por edhe investitorëve që krijojnë vende pune të paguara mirë për qytetarët", tha Kovaçevski. Siç theksoi ai, krijimi i vlerës ekonomike vendore dhe zhvillimi i avancuar teknologjik që sjell ky investim do të ndryshojë jetën në bashkësinë lokale, do t'i japë një stimul të fortë ekonomisë dhe referencë domethënëse për shtetin në tërheqjen e investimeve të huaja. "Qasja jonë në tërheqjen e investimeve ka ndryshuar dhe tani synon investimet dhe investitorët që sjellin më shumë vlerë të shtuar. Shembull i tillë është ky investim sot, dhe shembuj të tillë janë edhe parqet e erës dhe termocentralet diellore, gjegjësisht burimet e ripërtëritshme të energjisë, disa prej të cilave tashmë janë finalizuar, e disa janë në fazën e përgatitjes, përkatësisht të implementimit", shtoi Kovaçevski. Ai përgëzoi familjen Destani, dhe kompaninë “e.GO” nga Gjermania, gjithë ekipin menaxhues dhe uroi që sa më shpejt dhe me sukses të përfundojnë punimet e ndërtimit për prodhimin e fabrikës dhe automobilat e para tashmë të mund t'i vozisim edhe te ne edhe në autostradat e huaja brenda afateve të parashikuara që i kanë përcaktuar. Përveç kryeministrit, fjalimin e tyre sot me rastin e fillimit të investimit të ri në ZZHTI Tetovë mbajtën edhe ministri i Financave dhe ai i Ekonomisë, Fatmir Besimi dhe Kreshnik Bekteshi dhe drejtori i Drejtorisë për Zona Zhvillimore Teknologjike Industriale (DZZHTI), Jovan Despotovski. Po ashtu, të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministrat dhe ministrat tjerë të Qeverisë.

QËNDRONI TË LIDHUR