• e diel, 22 dhjetor 2024

Kovaçevski: Është e padobishme të kërkohen zgjedhje në kushte të krizës

Kovaçevski: Është e padobishme të kërkohen zgjedhje në kushte të krizës
Shkup, 20 janar 2022 (MIA) - Në kushte kur kemi krizë shëndetësore, energjetike dhe ekonomike, është plotësisht e padobishme të kërkohen zgjedhje, deklaroi kryeministri Dimitar Kovaçevski në intervistë për Kanal 5, në lidhje me kërkesën e VMRO-DPMNE-së për zgjedhje të parakohshme parlamentare. "Nuk keni asgjë të re për të ofruar, por vetëm përsëritni çdo ditë se nevojiten zgjedhje. Unë ofrova bashkëpunim, i bëj thirrje opozitës, akademisë, odave ekonomike, sindikatave...së bashku të punojmë në kushte të krizës të kemi pasoja më të vogla në ekonomi, dera është e hapur për të gjithë që duan të ndihmojnë. Por, kërkesat e VMRO-DPMNE-së për zgjedhje nuk janë të bazuara", deklaroi Kovaçevski. Ai theksoi se nuk do të pranojë shantazhe për atë që do të diskutohet në takimin e mundshëm me liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski. "Do të kontaktoj me Mickoskin, do ta thërras, thashë nën shantazh nuk do të bisedojmë. Por, unë si kryeministër duhet të bisedoj me të gjithë, por tani fokusi është te kriza energjetike dhe gjithçka që po ndodh  në vendin tonë. Shpresoj se do ta pranojë këtë si argument dhe do të bisedojmë", deklaroi kryeministri Kovaçevski. Në lidhje me akuzat e VMRO-DPMNE-së se është "peng i Zaevit", Kovaçevski theksoi se njeriu dëshmon nëse në mënyrë të pavarur vendos në bazë të vendimeve që i sjellë. "Unë propozova një Bord të ri Ekzekutiv, nënkryetarë dhe sekretarë të rinj në parti, gjegjësisht  ndryshe nga ato që ishin paraprakisht. Njejtë ishte edhe gjatë zgjedhjes së Qeverisë, ku u drejtova nga parimi të zgjidhen persona me cilësi dhe dituri për kryerje të funksioneve. Propozimet i dhashë unë, ndërsa i miratoi udhëheqësia e partisë", theksoi Kovaçevski. Ai shtoi se gjysma e anëtarëve të Bordit Ekzekutiv të LSDM-së, janë anëtarë të rinj, si dhe 75 për qind e nënkryetarëve dhe 66 për qind e sekretarëve. "- Këtu do të bëja një paralele me VMRO-DPMNE-në, sepse para çdo zgjedhjeje dhe çdo vendimi duhet të shkojnë në Budapest për takim. Fakt është se para çdo vendimi të VMRO-DPMNE-së duhet shkuar në Budapest me ndonjë arsyetim formal, për të marrë pëlqimin për atë që vendoset, potencon Kovaçevski. Kryeministri shtoi se në të kaluarën ka pasur kontakte me të gjithë ish-kryetarët e LSDM-së për të kërkuar këshilla për kryesinë e partisë, por edhe të vendit. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR