• e premte, 05 dhjetor 2025

Kostadinovski: Nëse Kuvendi nuk reagon, Gjykata Kushtetuese do të vendos për ndryshimet në KP në dhjetor, Ligji për përdorimin e gjuhëve në rend dite më së voni deri në shkurt

Kostadinovski: Nëse Kuvendi nuk reagon, Gjykata Kushtetuese do të vendos për ndryshimet në KP në dhjetor, Ligji për përdorimin  e gjuhëve në rend dite më së voni deri në shkurt

Shkup, 11 nëntor 2025 (MIA) - Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, komentoi raportin e fundit të Komisionit Evropian, duke shprehur shqetësim rreth gjendjes "status kuo" shumëvjeçare në sistemin juridik. Ai kritikoi Kuvendin për shpërfilljen e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe paralajmëroi se nëse nuk bëhen ndryshimet e nevojshme, gjykata do të marrë vendime përfundimtare. Kostadinovski iu referua ligjeve kontroverse për balancuesin, ndryshimeve në Kodin Penal dhe Ligjit për përdorimin e gjuhëve, duke njoftuar afate dhe hapa të mundshëm për zgjidhjen e tyre.

"Raporti i fundit nuk përcakton përparim në fusha të caktuara, veçanërisht në gjyqësor, luftën kundër korrupsionit, krimit. Megjithatë, as nuk përcakton regres. Ne jemi në një gjendje "status kuo" për një kohë të gjatë dhe kjo nuk është aspak e mirë. Qytetarët kanë mosbesim të plotë në të gjithë aparatin shtetëror", tha ai në paraqitjen e sontme në televizionin Telma.

Lidhur me dy ligjet për të cilat KE-ja ka vërejtje, konkretisht balancuesin, Kostadinovski informoi se është përgatitur një Ligj i ri për përfaqësim të drejtë dhe aktualisht po vlerësohet nga Komisioni i Venedikut.

"Shpresoj që ky ligj të jetë në përputhje me qëndrimet tona ligjore për heqjen e balancuesit. Domethënë, të arrihet një ekuilibër midis përfaqësimit të drejtë dhe të përshtatshëm dhe asaj që do të thotë merita, ekspertiza dhe kompetenca", theksoi ai.

Ndërsa, në lidhje me ndryshimet në Kodin Penal, të cilat janë gjithashtu vërejtje e KE-së, ai tha se ato shkaktuan "dëm të pariparueshëm" në sistemin juridik dhe njoftoi se nëse Kuvendit nuk bën ndryshimet e nevojshme deri në seancën e fundit të gjykatës në dhjetor, Gjykata Kushtetuese do ta vendosë çështjen në rend të ditës dhe do të vendosë.

"Afati gjashtëmujor përfundoi në gusht. Ne kishim një mirëkuptim si Gjykatë për procesin zgjedhor, sepse gjëra kaq të mëdha nuk janë të përshtatshme për t'u bërë. Por zgjedhjet përfunduan. Ne si Gjykatë, pra unë si kryetar, jam i detyruar të ruajmë besueshmërinë e Gjykatës Kushtetuese. Nuk mund të lejojmë pafundësisht që Kuvendi të vazhdojë me një praktikë të mosdisiplinës kushtetuese. Parlamenti është i detyruar, nëse e respekton Kushtetutën dhe është i detyruar ta respektojë atë, të respektojë vendimet tona, sepse vendimet tona në bazë të Kushtetutës janë përfundimtare, të zbatueshme dhe përgjithësisht të detyrueshme. Por Kuvendi deri në këto momente nuk e ka bërë këtë", thotë Kostadinovski.

Siç shpjegoi, shfuqizimi i Ligjit për ndryshimet në Kodin Penal do të thotë që rregulli i vjetër ligjor nuk do të rikthehet në fuqi, pasi do të ishte një thirrje për pandëshkueshmëri, ndërsa anulimi i tij do të thotë se do të kthehet në atë të vjetrin.

Lidhur me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, Kostadinovski njoftoi se deri në fund të muajit do të kërkojë një mendim nga gjyqtari raportues, ndërsa çështja do të paraqitet në një seancë më së voni deri në shkurt.

Ai i bëri thirrje Kuvendit që të plotësojë përbërjen e Gjykatës Kushtetuese në mënyrë që të shmangen vendimet e pazgjidhura me rezultat 4-4.

Lidhur me përzgjedhjen e gjyqtarëve për Strasburgun, Kostadinovski theksoi se komisioni i mëparshëm bëri një gabim në hapat e ndërmarrë. mb/

Foto: printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR