Kosovë: Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka dhënë dorëheqje
- Kryetari i Partisë demokratike të Kosovës, (PDK), Memli Krasniqi sot dha dorëheqje nga ai funksion.
- Post By Arta Bunjaku
- 19:41, 12 nëntor, 2025
Prishtinë, 12 nëntor 2025 (MIA) - Kryetari i Partisë demokratike të Kosovës, (PDK), Memli Krasniqi sot dha dorëheqje nga ai funksion.
Ai e informoi opinionin për dorëheqjen e vet në konferencën e sotme për shtyp, të mbajtur pas mbledhjes së Kryesisë së partisë.
Krasniqi tha se ky akt është reflektim dhe përgjegjësi, me qëllim që të krijohet momentum i ri për PDK-në.
Ai theksoi se ky vendim nuk lidhet me ndonjë zhvillim të fundit politik, por me nevojën për t’i dhënë partisë “një frymë të re dhe një mundësi të re për të ardhmen".
"Ky vendim nuk është i momentit e as i zhvillimeve të fundit. Është reflektim mbi atë se çka i duhet PDK-së në fazën e ardhshme. Nuk është vendim prej lodhjes apo zhgënjimit – por prej dashurisë për partinë time. E bëj këtë me paqe në shpirt dhe me dashuri në zemër. Dashuri për PDK-në. Dashuri për Kosovën", deklaroi ai.
Kryetari Krasniqi përmbylli fjalimin e tij me mirënjohje për qytetarët, aktivistët, bashkëpunëtorët dhe familjen e tij.
"Unë largohem nga detyra e Kryetarit të PDK-së me paqe, me mirënjohje dhe me krenari. Kam bindjen e thellë se PDK do të mbetet në duar të sigurta – në duar të njerëzve që besojnë, që punojnë dhe që bashkojnë. Kjo nuk është lamtumirë – por vetëm mirupafshim. Sepse kjo është shtëpia ime e dytë, shtëpia ime politike, shtëpia e krenarisë sime jetësore", përmbylli Krasniqi. ab/
foto: arkivi