Koshta: Tensionet në rajon dhe në veri të Kosovës duhet të ulen në mënyrë që BE të heqë masat ndaj Kosovës
- Kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Koshta, deklaroi sot në Prishtinë se është e nevojshme të ulen tensionet në rajon dhe në veri të Kosovës, në mënyrë që Bashkimi Evropian të mund të heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës.
- Post By Sara Ademi
- 21:39, 14 maj, 2025

Prishtinë, 14 maj 2025 (MIA) - Kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Koshta, deklaroi sot në Prishtinë se është e nevojshme të ulen tensionet në rajon dhe në veri të Kosovës, në mënyrë që Bashkimi Evropian të mund të heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës.
"Siç e dini, këto masa lidhen me nevojën për të ulur tensionet në rajon dhe në veri të vendit. Shpresoj që depërshkallëzimi të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur. Pas depërshkallëzimit, ne mund të vazhdojmë dhe të anulojmë masat", tha Koshta në konferencën e përbashkët për shtyp me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani.
BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës në vitin 2023, pas përshkallëzimit të tensioneve në veri dhe ende i mban ato në fuqi me arsyetimin se Kosova ende nuk ka bërë mjaftueshëm për të qetësuar situatën në komunat me shumicë serbe në veri.
Koshta e quajti zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor "investimi më i madh gjeopolitik".
"Kjo është një mundësi e shkëlqyer për Ballkanin Perëndimor dhe është thelbësore të vazhdohet axhenda e reformave dhe të shfrytëzohen përfitimet e saj. Normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është në interes të qytetarëve dhe ky proces është jetik për rrugën tuaj drejt Bashkimit Evropian", tha Koshta. sa/
foto: EPA