Koshta: Përveç kandidatëve për anëtarësim, reforma duhet të zbatojë edhe BE-ja
- – Nëse duam ta ndërtojmë Bashkimin Evropian si “ndërtesë multifunksionale”, atëherë paralelisht me reformat të cilat i ndërmarrin vendet kandidate për anëtarësim gjatë procesit të zgjerimit, duhet të kryhen edhe reforma në kuadër të institucioneve të BE-së që të sigurohet përshtatje e tyre, deklaroi kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Koshta në intervistë për agjencinë portugeze Lusa.
- Post By Fitore Curri
- 14:40, 2 korrik, 2025
Bruksel, 2 korrik 2025 (MIA) – Nëse duam ta ndërtojmë Bashkimin Evropian si “ndërtesë multifunksionale”, atëherë paralelisht me reformat të cilat i ndërmarrin vendet kandidate për anëtarësim gjatë procesit të zgjerimit, duhet të kryhen edhe reforma në kuadër të institucioneve të BE-së që të sigurohet përshtatje e tyre, deklaroi kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Koshta në intervistë për agjencinë portugeze Lusa.
“Nëse në të ardhmen duam të lëvizim në sfera të reja, është normale që ky multifunksionalitet të vazhdojë të zhvillohet në kuadër të Unionit. Ajo është çështje e cila pashmangshëm do të jetë pjesë e debateve paraprake”, thotë Koshta në intervistën me rastin e gjashtë mujorit të marrjes së tij të detyrës.
Sipas Koshtës, Samiti i NATO-s në Hagë, i mbajtur javën e kaluar, i ka zgjidhur dyshimet rreth të ardhmes së Aleancës.
“Pas disa muajve në të cilat kishte dyshime nëse Aleanca Transatlantike do të mbijetojë, të gjithë partnerët shprehën dëshirë të mbeten të bashkuar, t’i fuqizojnë marrëdhëniet dhe u pajtuan për qëllime të reja për fuqizim të Aleancës, e cila, derisa nuk dëshmohet e kundërta, mbetet forca më efikase kolektive në nivel global”, thotë Koshta.
Ai vlerëson se marrëveshja e arritur në Samitin e NATO-s për rritjen e shpenzimeve në mbrojtje mund të ketë “ndikim pozitiv” edhe ndaj bisedimeve tregtare ndërmjet BE-së dhe SHBA-së, për të cilat shpreson se do të përfundojnë “shpejt dhe me sukses”.

“Është e qartë se marrëveshja që evropianët arritën me amerikanët brenda NATO-s mund të ketë vetëm ndikim pozitiv në negociatat tregtare. Madje do të thoja se një pasojë logjike e marrëveshjes së arritur brenda NATO-s do të jetë një efekt pozitiv në negociatat tregtare”, vlerëson Kohsta.
Sipas tij, këto bisedime do të duhej të përfundojnë sa më shpejtë dhe t’i sqarojnë gjërat, sepse prolongimi i saj vetëm e vazhdon pasigurinë.
“Atë për të cilën do të merremi vesh duhet të jetë pozitive edhe për të dyja palët ose të paktën e mundshme negative edhe për të dyja”, thekson Koshta.
Kur bëhet fjalë për rritjen e investimeve në mbrojtje, sipas Koshtës, duhet të mbahet llogari edhe për “ruajtjen e shtetit social”, sepse në të kundërtën kjo do të shkaktonte “vetëvrasje kolektive” të BE-së.
"Ata që ofrojnë një zgjedhje midis një shteti social dhe shpenzimeve të mbrojtjes, në fakt po propozojnë vetëvrasje kolektive, sepse askush nuk mund të mobilizohet për mbrojtje nëse mënyra e tij e jetesës nuk është e mbrojtur. Dhe ajo që përcakton mënyrën tonë evropiane të jetesës është pikërisht ekzistenca e një shteti të fortë social", thotë Koshta. fc/
Foto: ENR/Lusa