Koshta: Në Evropë, dhe as në asnjë vend tjetër në botë, nuk ka vend për mohimin e gjenocidit dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës
- Kryetari i Këshillit evropian, Antonio Koshta, sot në përkujtim të 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë deklaroi se në Evropë, dhe në asnjë vend tjetër, nuk ka vend për, siç tha, mohim të gjenocidit, revizion historik ose glorifikim të kriminelëve.
- Post By Qefsere Abduli
- 14:56, 11 korrik, 2025
Banja Llukë, 11 korrik 2025 (MIA) - Kryetari i Këshillit evropian, Antonio Koshta, sot në përkujtim të 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë deklaroi se në Evropë, dhe në asnjë vend tjetër, nuk ka vend për, siç tha, mohim të gjenocidit, revizion historik ose glorifikim të kriminelëve.
"Mohimi i tmerreve të tilla helmon të ardhmen tonë. Detyra jonë morale dhe njerëzore është të përballemi me të vërtetën e plotë. Ky është hapi i parë për të siguruar që këto krime kurrë më të mos përsëriten", theksoi Koshta.
Ai familjeve të viktimave u premtoi se gjithmonë do të mbetet kujtimi për banorët e vrarë të Srebrenicës.
"Në këtë moment kujtimi, konfirmojmë angazhimin tonë të palëkundur për të vërtetën dhe përgjegjësinë. Në heshtjen dhe dhimbjen e kujtimit të sotëm, ndodhet edhe shpresa. Shpresa për fëmijët dhe nipërit e atyre që humbën jetën – të realizojnë ëndrrat e tyre, të rindërtojnë dhe të krijojnë një të ardhme pa urrejtje dhe dhunë", theksoi Koshta.
Ai theksoi se mbetet "detyrimi i premtimit evropian të dhënë Bosnjes e Hercegovinës", transmetoi Beta.
"Rruga nga lufta dhe gjenocidi drejt paqes dhe prosperitetit. BE-ja është një projekt i paqes, lindur nga hiri i luftës tragjike, udhëhequr nga një vizion për pajtimin. Ky është po ai vizion me të cilin udhëhiqemi sot në zgjerimin drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor", tha kryetari i Këshillit Evropian.
Ai shprehu besimin se vendi i Bosnjës e Hercegovinës është në BE, duke shtuar se BE-ja është "vend i sigurt dhe një shoqëri gjithëpërfshirëse që respekton dallimet dhe liritë fetare".
Sipas tij, duhet t'u jepet nderim viktimave me "përsëritjen e angazhimit për të vërtetën, drejtësinë, shpresën dhe premtimin e përhershëm për një të nesërme më të mirë". qa/
Foto: Koshta në X