Koshta: Konkurrenca, Ukraina dhe mbrojtja evropiane tema kryesore të Samitit të BE-së në mars
- Temë qendrore e agjendës së Këshillit Evropian në mars do të jetë konkurrenca, por do të vazhdojmë edhe me adresimin e zhvillimeve të fundit në lidhje me Ukrainën dhe hapat e ardhshëm për mbrojtjen pas prezantimit të "Librit të bardhë" për të ardhmen e mbrojtjes evropiane, thekson kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Koshta në ftesën e dërguar sot krerëve të shteteve apo qeverive të vendeve anëtare të Unionit për të marrë pjesë në Samitin e BE-së të planifikuar për më 20 dhe 21 mars në Bruksel.
- Post By Qefsere Abduli
- 11:00, 14 mars, 2025

Bruksel, 14 mars 2025 (MIA) - Temë qendrore e agjendës së Këshillit Evropian në mars do të jetë konkurrenca, por do të vazhdojmë edhe me adresimin e zhvillimeve të fundit në lidhje me Ukrainën dhe hapat e ardhshëm për mbrojtjen pas prezantimit të "Librit të bardhë" për të ardhmen e mbrojtjes evropiane, thekson kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Koshta në ftesën e dërguar sot krerëve të shteteve apo qeverive të vendeve anëtare të Unionit për të marrë pjesë në Samitin e BE-së të planifikuar për më 20 dhe 21 mars në Bruksel.
"Mbështetja jonë e vazhdueshme për Ukrainën, nevoja për të investuar në mbrojtjen tonë dhe konkurrenca jonë janë të lidhura ngushtë. Një Union më konkurrues do të thotë një Union më i fortë i cili do të jetë më i aftë të mbrojë qytetarët, interesat dhe vlerat e tij në skenën globale", thekson Koshta në ftesë.
Krahas këtyre temave, liderët pritet të diskutojnë edhe për përgatitjen e kornizës së re financiare shumëvjeçare të BE-së për periudhën pas vitit 2027, për migracionin, në radhë të parë propozimet për thjeshtimin e procedurave për deportimin e emigrantëve, si dhe zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme.
Koshta në ftesë njoftoi se liderët të enjten do të kenë një drekë pune edhe me Sekretarin e përgjithshëm të KB-së Antonio Guteresh, ku do të diskutojnë mbi multilateralizmin dhe çështje të tjera globale, veçanërisht përgatitjet për Konferencën e tretë të KB-së për Oqeanet dhe Konferencën e katërt ndërkombëtar për financimin e zhvillimit.
"Do të përpiqem ta mbyllim takimin tonë brenda një dite, por duke pasur parasysh pasigurinë rreth zhvillimeve të mundshme ndërkombëtare, nuk mund të përjashtoj mundësinë që mund të na duhet të vazhdojmë të premten në mëngjes", shtoi Koshta në ftesën drejtuar liderëve të vendeve anëtare të BE-së për pjesëmarrje në Këshillin e rregullt Evropian të marsit javën e ardhshme. qa/
Foto: arkivi i MIA-s