• e premte, 05 dhjetor 2025

Koshta: Evropa duhet të jetë e aftë që të mbrohet në botën e sotme gjithnjë e më të rrezikshme

Koshta: Evropa duhet të jetë e aftë që të mbrohet në botën e sotme gjithnjë e më të rrezikshme

Bruksel, 6 maj 2025 (MIA) - Në kushte të fragmentimit dhe të pasigurt të botës së sotme dhe kur pushtimi rus ndaj Ukrainës nuk ka sjellë një pikë kthese historike, Agjenda strategjike e BE-së fokusohet në forcimin e sigurisë dhe konkurrencës, deklaroi kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Koshta në fjalimin e tij në takimin vjetor të organizatës së shoqërisë civile (CDE) në Barcelonë.

"Gjendemi në një botë ku është zbehur respekti për rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla, ku po vihen në pikëpyetje angazhimet shumëpalëshe për t'u përballur me sfidat globale siç janë ndryshimet klimatike dhe ulja e varfërisë, ku sulmet hibride kërcënojnë infrastrukturën dhe proceset tona demokratike dhe ku teknologjitë e reja po ndryshojnë ekuilibrin në sistemet tona politike. Një botë ku fuqia ekonomike dhe siguria janë përsëri të pandashme. Të dyja janë urgjente dhe duhet të arrihen paralelisht", shton Koshta.

Lidhur me sigurinë, Koshta thekson se mbështetja e Ukrainës në luftën e saj legjitime dhe të arsyeshme mbetet thelbësore për BE-në, me qëllim arritjen e paqes së qëndrueshme që mund të bazohet vetëm në një mbrojtje të fuqishme evropiane.

"Në një botë gjithnjë e më të rrezikshme, Evropa duhet të jetë në gjendje ta mbrojë veten. Jo vetëm nga kërcënimet ushtarake, por edhe nga kërcënimet dhe sfidat e ndryshme hibride, sepse paqja pa mbrojtje është një iluzion", ka thënë ai duke shtuar se vendet evropiane duhet të rrisin shpenzimet e mbrojtjes për t'i mundësuar Evropës të jetë në gjendje të mbrojë veten, duke përmirësuar aftësitë e saj dhe duke forcuar aleancat ndërkombëtare.

Koshta ka shtuar se me përpjekjet e BE-së për sigurinë është e lidhur drejtpërdrejt edhe konkurrenca me çka është e nevojshme rritje e investimeve në inovacion, infrastrukturë, zinxhirët e furnizimit dhe vende pune cilësore.

"Kjo është qasja që duhet ta pranojmë për të arritur një prosperitet të përbashkët dhe të qëndrueshëm. Ajo që shohim në botën përreth nesh nuk është vetëm një kaos gjeopolitik. Është gjithashtu kaos gjeoekonomik. Sistemi i integrimit ekonomik global i pasluftës i cili nxori miliarda njerëz nga varfëria dhe promovoi paqen, tani po shkatërrohet. Janë rikthyer tarifat, jo vetëm si mjet i politikës industriale, por edhe si një armë gjeopolitike. Kjo është shumë e qartë: ne nuk duhet t'i përgjigjemi proteksionizmit me proteksionizëm më të madh. Duhet të bashkohemi për të gjetur zgjidhje përmes dialogut", ka thënë Koshta.

Foto: Këshilli i Evropës

QËNDRONI TË LIDHUR