Koshta: Dëgjuam stuhi të ideve për sigurinë e Evropës, por sot jemi këtu për të marrë vendime
- Këshilli Evropian i sotëm po zhvillohet në një moment shumë të rëndësishëm për ndërtimin e sigurisë evropiane, deklaroi kryetari i Këshillit Evropian Antonio Koshta para fillimit të Samitit special të sotëm të BE-së kushtuar mbështetjes së Ukrainës dhe mbrojtjes së Evropës.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 13:18, 6 mars, 2025

Bruksel, 6 mars 2025 (MIA) - Këshilli Evropian i sotëm po zhvillohet në një moment shumë të rëndësishëm për ndërtimin e sigurisë evropiane, deklaroi kryetari i Këshillit Evropian Antonio Koshta para fillimit të Samitit special të sotëm të BE-së kushtuar mbështetjes së Ukrainës dhe mbrojtjes së Evropës.
"Siç e dini në muajt e kaluar kemi dëgjuar stuhi të ideve, por sot jemi këtu për të marrë vendime dhe për të dhënë", tha Koshta, i shoqëruar nga kryetarja e Komisionit Evropian Ursula fon der Lajeni dhe presidenti ukrainas Volodimir Zelenski.
Koshta në këtë rast falënderoi Komisionin Evropian dhe Fon der Lajenin për propozimet në lidhje me mbrojtjen, në bazë të të cilave liderët e vendeve anëtare të BE-së do të mund të marrin vendime konkrete për të rritur shpenzimet e mbrojtjes, për të shpenzuar më mirë këto fonde dhe për të forcuar aftësitë mbrojtëse.
"Gjithsesi, siguria dhe mbrojtja e Evropës janë të pandashme nga siguria dhe mbrojtja e Ukrainës. Mbrojtja më e fortë evropiane do të forcojë gjithashtu mbrojtjen e Ukrainës dhe kapacitetet më të forta mbrojtëse të Ukrainës gjithashtu forcojnë mbrojtjen tonë", shtoi Koshta.
Siç njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, kryetari i Këshillit Evropian po ashtu përsëriti se BE-ja e mbështet Ukrainën në përpjekjet e saj për arritjen e një paqeje gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme.
"Ne kemi qenë me ju që nga dita e parë dhe do të vazhdojmë të jemi me ju tani dhe në të ardhmen, në negociatat e ardhshme të paqes që do të mbahen kur ju do të vendosni se është koha për të negociuar dhe më e rëndësishmja, si një shtet i ardhshëm anëtar i BE-së”, tha Koshta, duke iu drejtuar Zelenskit.
Foto: EPA