• e premte, 05 dhjetor 2025

Kos: E dënojmë dhunën në Serbi dhe bëjmë thirrje për uljen e tensioneve

Kos: E dënojmë dhunën në Serbi dhe bëjmë thirrje për uljen e tensioneve

Strasburg, 9 shtator 2025 (MIA) - Komisioni tashmë prej muajsh po e ndjek me shumë kujdes dhe me shqetësim në rritje situatën në Serbi, deklaroi dje komisionerja evropiane për zgjerim, Marta Kos, gjatë një debati në Parlamentin Evropian kushtuar "valës së dhunës dhe përdorimn e vazhdueshëm të forcës kundër protestuesve në Serbi". 

"Pas 10 muajsh protestash, shoqëria serbe po përballet me ndarje të thella, ndjenjën e urrejtjes dhe frustrimit, ndërsa e gjitha kjo pasqyrohet në rrugët e qyteteve serbe. Presim që veprimet e policisë të jenë të përshtatshme dhe të respektohen të drejtat themelore. I dënojmë të gjitha aktet e urrejtjes, vandalizmit dhe dhunës dhe vazhdojmë t'i bëjmë thirrje të gjitha palëve që të ulin tensionet dhe të respektojnë të drejtat dhe vlerat themelore, përfshirë lirinë e tubimit paqësor", theksoi Kos.  

Ajo bëri thirrje gjithashtu për shmangien e çdo lloj dhune ndaj përfaqësuesve të autoriteteve dhe familjeve të tyre, si dhe për mos përdorimin e sulmeve ndaj hapësirave të partisë në pushtet si mjet për protesta politike. 

Komisionerja evropiane theksoi se liria e mediave është një nga themelet kryesore të shoqërisë demokratike dhe e drejtë themelore në BE dhe është element kyç dhe parakusht për procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE. 

Ajo bëri thirrje të ndalojë sulmet fizike ndaj gazetarëve gjatë protestave, përfshirë edhe nga ana e pjesëtarëve të policisë, si dhe sulmet verbale ndaj tyre nga ana e zyrtarëve të lartë shtetëror. 

Kos rikujtoi se Serbia është kandidat për anëtarësim në BE dhe ajo si komisionere për zgjerim plotësisht është e angazhuar për një Serbi të vërtetë demokratike si anëtare e Unionit. Prandaj, Brukseli do të vazhdojë me një angazhim konstruktiv dhe do të bëjë gjithçka që është e mundur për t'i ndihmuar vendit të vazhdojë të përparojë në rrugën e anëtarësimit.  

Sipas saj, Serbia duhet të tregojë angazhim në rrugën drejt BE-së dhe vullnet politik për të realizuar reformat thelbësore dhe për të kaluar përtej stagnimit aktual në zbatimin e tyre.

Ajo theksoi se këto hapa janë kyç për përparimin e Serbisë në rrugën e saj evropiane dhe janë një imperativ për daljen nga gjendja aktuale politike dhe ndarjet në shoqërinë serbe. qa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR