• e hënë, 19 janar 2026

Koreper vendosi t'i japë shans dialogut me Trampin para ndërmarrjes eventuale të "taksave hakmarrëse" ndaj SHBA-së

Koreper vendosi t'i japë shans dialogut me Trampin para ndërmarrjes eventuale të

Bruksel, 19 janarr 2026 (MIA) - Ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së kanë arritur marrëveshje që t'i japin shans dialogut me SHBA-në, para se të ndërmarrin çfarëdo masash si përgjigje të paralajmërimit të presidentit, Donald Tramp për vendosjen e taksave nga 1 shkurti ndaj tetë vendeve evropiane, të cilat, sipas tij, e kundërshtojnë qëllimin e tij për ndërmarrjen e kontrollit ndaj Grenlandës.

Sipas burimeve diplomatike, në takimin e mbrëmshëm të Komitetit të përfaqësuesve të përhershëm të qeverive të vendeve anëtare të BE-së (Koreper) u arrit marrëveshje që BE-ja të mos ndërmarrë "masa hakmarrëse" ndaj taksave të paralajmëruara amerikane "të paktën deri në shkurt".

Burimet e njëjta potencojnë se parimisht është arritur marrëveshje se nëse nuk arrihet marrëveshje me Trampin, nga 6 shkurti BE-ja të vendos sanksione reciproke ndaj SHBA-së në vlerë prej 93 miliardë euro.

Krahas kësaj, në takimin e Koreper-it, u shqyrtua edhe opsioni për aktivizimin e "instrumentit kundër detyrimit" ndaj SHBA-së, i cili parashikon kufizimin e eksportit të mallrave dhe shërbimeve në BE. Ky instrument i BE-së deri tani asnjëherë nuk është shfrytëzuar.

Trampi të shtunën paralajmëroi se nga 1 shkurti, SHBA-ja do të vendos taksa prej 10 për qind ndaj Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Danimarkës, Norvegjisë, Finlandës, Francës, Holandës dhe Suedisë, për shkak të kundërshtimit të tyre ndaj ndërmarrjes amerikane të kontrollit ndaj Grenlandës. Sipas Trampit, kjo shkallë doganore do të rritej në 25 për qind nga 1 qershori dhe do të vlente derisa "nuk arrihet marrëveshje për blerjen e Grenlandës".

Paralajmërimet e tilla e sjellin në dyshim ratifikimin e marrëveshjes tregtare mes BE-së dhe SHBA-së, e cila është arritur vitin e kaluar në gusht, me qëllim të shmangies së vendosjes së ndërsjelllë të taksave. bsh/

Foto: MIA arkiv

QËNDRONI TË LIDHUR