• e martë, 05 nëntor 2024

Koreper miratoi vendimin e KE-së për vendosjen e tarifave shtesë për importin e makinave elektrike nga Kina

Koreper miratoi vendimin e KE-së për vendosjen e tarifave shtesë për importin e makinave elektrike nga Kina

Bruksel, 4 tetor 2024 (MIA) - Komiteti i përfaqësuesve të përhershëm të qeverive të vendeve anëtare të BE-së (Koreper) sot miratoi vendimin e Komisionit Evropian për vendosjen e tarifave shtesë për importin e automjeteve elektrike nga Kina në Union.

Siç kumtoi Komisioni Evropian, vendimi i tillë paraqet edhe një hap përpara drejt implementimit të konkluzionit nga hetimi i tij për subvencionimin shtetëror kinez të prodhuesve të automjeteve elektrike, me të cilën cenohen parimet e konkurencës dhe mundësohet konkurencë jolojale e tregut.

Për të hyrë në fuqi, vendimi i Koreper duhet të publikohet në Gazetën zyrtare të BE-së, për të cilën afati përfundimtar është 30-të tetori.

Në kumtesë shtohet se edhe krahas vendimit të tillë, BE-ja vazhdon "të punojë me mund" me Kinën për të gjetur zgjidhje alternative e cila do të ishte plotësisht kompatibile me parimet e Organizatës Botërore Tregtare (OBT) dhe e cila do të mundësojë ballafaqim adekuat me subvencionimin e dëmshëm të automobilave elektrike kineze, që Komisioni e konfirmoi me hetimin e tij.

Komisioni Evropian në fillim të korrikut pas hetimit nëntë muajsh sipas detyrës zyrtare për subvencionimin e prodhimtarisë së automjeteve elektrike në Kinë, solli vendim për vendosjen e "taksës së përkohshme doganore" për import të automobilave elektrike kineze.

Ky vendim është marrë bazuar në përfundimin e hetimit se "prodhimi i automjeteve elektrike në Kinë mbështetet nga subvencione të padrejta, të cilat kërcënojnë të shkaktojnë dëm ekonomik për prodhuesit e automjeteve elektrike të BE-së".

Sipas këtij vendimi, për automjetet e kompanisë Bi-Vaj-Di (BYD), u vendos një doganë kompensuese prej 17,4 për qind për automjetet "Xhili" (Geely) prej 19,9, ndërsa për automobilat elektrike SAIC prej 37,6 për qind. Për prodhuesit tjerë kinezë të automjeteve elektrike që bashkëpunuan në hetim, u vendos një tarifë prej 20.8 për qind dhe për ata që nuk bashkëpunuan me hetuesit e BE -së 37.6 për qind.

Zbatimi i këtij vendimi të përkohshëm ka filluar të nesërmen pas miratimit të tij, me vlefshmëri prej katër muajsh, gjatë të cilit do të merrej një vendim përfundimtar nga shtetet anëtare të BE-së.

Komisioni nisi zyrtarisht një hetim për subvencionimin e prodhimit të automjeteve elektrike në Kinë më 4 tetor 2023. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR