Koreja e Jugut dhe SHBA-ja do të fillojnë stërvitje të mëdha ushtarake më 18 gusht
- Koreja e Jugut dhe SHBA-ja do të zhvillojnë stërvitje të mëdha ushtarake këtë muaj për të rritur gatishmërinë e tyre të përbashkët luftarake mes kërcënimeve ushtarake në rritje nga Koreja e Veriut, kumtuan sot aleatët, të cituara nga mediat e Koresë së Jugut.
Seul, 7 gusht 2025 (MIA) - Koreja e Jugut dhe SHBA-ja do të zhvillojnë stërvitje të mëdha ushtarake këtë muaj për të rritur gatishmërinë e tyre të përbashkët luftarake mes kërcënimeve ushtarake në rritje nga Koreja e Veriut, kumtuan sot aleatët, të cituara nga mediat e Koresë së Jugut.
Ushtrimet vjetore “Ulçi fridom shild” (UFS) do të mbahen nga 18 deri më 28 gusht dhe do të përfshijnë trajnime për kërcënimet reale për të përmirësuar kapcitetet e aleatëve në të gjitha fushat, kumtuan ushtritë e të dy vendeve.
Manovrat e këtij viti do të shohin një ndryshim të vogël - 20 nga 40 detyrat e trajnimit do të shtyhen për në shtator, deklaroi zëdhënësi i Shtabit të përbashkët të Koresë së Jugut në brifingun e sotëm.
Vendimi për të ndryshuar orarin u nxit kryesisht nga kushtet ekstreme të motit, tha ai, duke mohuar se pas kësaj qëndronin faktorë politikë.
Stërvitja e këtij viti do të testojë reagimin e ushtrive nga të dyja palët ndaj kërcënimit bërthamor në rritje nga Koreja e Veriut, si dhe teknologjitë më të përparuara të përdorura në luftën moderne, tha zëdhënësi, duke përmendur konfliktet në Ukrainë dhe Lindjen e Afërt. Stërvitja do të përfshijë një skenar për lëshimin e raketave nga Koreja e Veriut, por nuk do të përfshijë një provë të mundshme bërthamore nga Pheniani, shtoi ai. ls/
Foto: EPA