• e mërkurë, 21 maj 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Konservatorët gjermanë sot nisin bisedimet për koalicion me SPD-në

Konservatorët gjermanë sot nisin bisedimet për koalicion me SPD-në

Berlin, 13 mars 2025 (MIA) - Blloku konservator fitues i Gjermanisë sot duhet t'i fillojë bisedimet për koalicion me Socialdemokratët e qendrës së majtë (SPD) të kancelarit në largim Olaf Sholc në përpjekje për të formuar Qeverinë e ardhshme gjermane, njofton DPA.

Pasi siguroi fitore të qartë në zgjedhjet parlamentare të shkurtit, Unioni Demokristian (CDU) dhe partia e tyre bavareze simotër Unioni Kristiansocial (CSU) në bisedimet preliminare me SPD-në, ranë dakord për një sërë pikash kyçe për punën e qeverisë së ardhshme, shton agjencia gjermane.

Nga sot, 16 grupe punuese, secili i përbërë nga 16 përfaqësues të CDU-së, CSU-së dhe SPD-së, duhet të negociojë detajet e programit të përbashkët të qeverisë.

Është paraparë grupet e punës të takohen në 10 ditët e ardhshme, ndërsa për koordinimin do të kujdeset një grup drejtues. Puna e tyre më pas duhet t'i kalojë një grupi negociator i cili duhet të përfshijë liderët e secilës parti.

Draft-marrëveshja eventuale e koalicionit më pas do t'u dorëzohet tre partive për miratim.

SPD, kujton DPA, tashmë ka njoftuar se dëshiron të konsultohet me anëtarët e saj për draft-marrëveshjen.

Lideri i CDU-së dhe kancelari i ardhshëm gjerman, Fridrih Merc, deklaroi se ka për qëllim që Gjermania ta ketë qeverinë e re deri në mes të prillit. qa/

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR