• e hënë, 23 dhjetor 2024

Konkurs i ri i FIZHT - pesë milionë euro mbështetje për kompanitë vendore

Konkurs i ri i FIZHT - pesë milionë euro mbështetje për kompanitë vendore

Shkup, 27 mars 2023 (MIA) - Fondi për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik shpalli sot konkursin e parë publik për vitin 2023, i cili vë në dispozicion 5.060.000 euro për mbështetjen e ndërmarrjeve vendase, përmes konkursit publik për grante të bashkëfinancuara për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme për zhvillim teknologjik dhe rritje të përshpejtuar ekonomike.

Qëllimi i konkursit është të mbështesë ndërmarrjet vendase për të krijuar kushte për tejkalimin e pasojave të krizës ekonomike, për të arritur rritje të përshpejtuar, për të rritur konkurrencën në tregjet ndërkombëtare dhe rezistencën ndaj krizave pandemike dhe klimatike, përmes prezantimit të teknologjive të reja, inovative, të avancuara, “të gjelbra” dhe digjitale për transformimin e tyre.

Për sa i përket aktiviteteve që ne mbështesim me këtë konkurs publik, lista nuk është kufizuese dhe e njëjta është e disponueshme në faqen elektronike të Fondit, disa prej tyre janë: furnizimi dhe vendosja e teknologjive të reja, inovative, të avancuara, ‘të gjelbra’ dhe digjitale për transformimin e proceseve të prodhimit dhe të biznesit, zhvillimi dhe vendosja e proceseve dhe standardeve të reja më ekologjike për prodhim dhe punë, përmirësimi i produktivitetit dhe efikasitetit të prodhimit dhe/ose proceseve të biznesit.

“Në vitet e kaluara jemi përballur me dy kriza të mëdha, pandeminë dhe krizën ekonomike, të cilat përbënin një sfidë të madhe për ndërmarrjet për të mbijetuar në këtë periudhë. Me këtë thirrje ne po ndihmojmë ndërmarrjet që të kapërcejnë më shpejt dhe me efektivitet pasojat e krizës dhe të vazhdojnë rrugën e tyre drejt tregut. Nëpërmjet instrumentit Grante të bashkëfinancuara për zhvillim teknologjik për rritje të përshpejtuar ekonomike, deri më tani kemi mbështetur mbi 200 projekte me një vëllim total investimi mbi 18 milionë euro, që nënkupton mbështetje direkte për projektet investuese të ndërmarrjeve, zhvillim teknologjik, zhvillim të inovacioneve dhe sipërmarrjes në vend. I inkurajoj të gjitha ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme që të përfitojnë nga mundësia që ofron Fondi dhe të aplikojnë në këtë konkurs”, tha Festim Halili, drejtor i Fondit për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik.

Fondi vazhdon të jetë një institucion lider që mbështet maksimalisht të gjitha ndërmarrjet mikro, të vogla, të mesme, start-up dhe spin-off në vend, si dhe një partner i vërtetë në të gjithë procesin që nga fillimi i një ideje biznesi deri në fillimin e biznesit tuaj. Fondi deri më tani ka mbështetur mbi 800 projekte me një vëllim të përgjithshëm mbi 100 milionë euro në investime të përbashkëta. Por Fondi nuk ndalet me kaq, ne vazhdojmë të punojmë aktivisht në drejtim të krijimit të kushteve të favorshme për zhvillimin e historive të suksesshme sipërmarrëse që do të jenë shembull dhe krenari e vërtetë e vendit tonë”, tha Festim Halili, drejtor i Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik.

Fondi siguron mbështetje financiare për ndërmarrjet mikro deri në 70 për qind të buxhetit të përgjithshëm të projektit, por jo më shumë se 2,5 milionë denarë, për ndërmarrjet e vogla deri në 70 për qind, por jo më shumë se 5 milionë denarë, dhe për ndërmarrjet e mesme deri në 60 për qind, por jo më shumë se 10 milionë denarë. Aplikanti siguron bashkëfinancimin e tij prej 30% për ndërmarrjet mikro dhe të vogla, gjegjësisht deri në 40% për ndërmarrjet e mesme nga buxheti i përgjithshëm i projektit. Me këtë thirrje, FIZHT ofron mbështetje edhe për institucionet shëndetësore private.

Si shpenzime të pranueshme do të konsiderohen pagat bruto për punonjësit, shpenzimet për mbështetjen teknike, hulumtim, zhvillim, digjitalizim, furnizim dhe dhënien me qira të pajisjeve, softuerëve, mjeteve të TIK-ut ose lëndëve të para, si dhe shpenzimet që lidhen me zbatimin e planit të zhvillimit teknologjik të ndërmarrjes.

Kthimi i mbështetjes financiare të dhënë nga Fondi kryhet me normën 7.5% të fitimit operativ të përfituesit, deri në realizimin e një kthimi prej 105% të shumës së paguar nga Fondi ose për një periudhë 5-vjeçare pas përfundimit të projektit, në varësi se cili kusht plotësohet i pari.

Një pjesë e kushteve që duhet të plotësojë aplikanti janë: aplikanti të jetë shoqëri tregtare ose institucion shëndetësor privat, të mos jetë i lidhur me një ndërmarrje tjetër ose ISHP të ardhurat vjetore të së cilës i kalojnë 10 milionë euro dhe se mesatarja e të punësuarve nuk i kalon 250 në dy vitet e mëparshme fiskale, të mos ketë detyrime të maturuara dhe të papaguara me vonesë mbi 90 ditë ndaj institucioneve financiare dhe që plotëson kushtet e Ligjit për Kontrollin e Ndihmës Shtetërore dhe se nuk ka marrë ndihmë financiare nga një institucion tjetër shtetëror për të njëjtin projekt.

Gjatë vlerësimit të projekteve, kriteri i ndikimit në zhvillimin ekonomik mbart numrin më të madh të pikëve (45 pikë), i ndjekur nga progresi teknologjik dhe shkalla e digjitalizimit (35 pikë), ndërsa cilësia e projektit dhe kapaciteti i ekipit të projektit do të vlerësohen me nga 10 pikë secili. Përparsi gjatë vlerësimit të projekteve do të kenë ndërmarrjet që kanë drejtuese dhe/ose pronare gra, projekte nga rajone më pak të zhvilluara dhe ndërmarrjet që kanë përfshirë në ekipin e projektit të paktën një docent, profesor inordinar ose professor ordinar dhe/ose doktorant që do të përfshihet në projekt. Qëllimi është inkurajimi i sipërmarrjes femërore si dhe zhvillimi i balancuar rajonal.

Për sa i përket procedurës së vlerësimit dhe përzgjedhjes në kuadër të kësaj thirrjeje publike, projekt-propozimet e pranuara shkojnë drejtpërdrejt në vlerësim nga ekspertë vendas nga 22 fusha të ekspertizës. Projektet që marrin një rezultat prej të paktën 51 pikësh kalojnë në fazën tjetër. Projektet do të shqyrtohen nga Komiteti për miratimit e Investimeve, i cili është një organ i pavarur i përbërë nga pesë ekspertë ndërkombëtarë.

Thirrja publike për grante të bashkëfinancuara për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme për zhvillim teknologjik dhe rritje të përshpejtuar ekonomike është e hapur deri më 5.5.2023, ora 14:00 dhe ndërmarrjet mund të aplikojnë në mënyrë elektronike. Më shumë informacion rreth thirrjes mund të gjeni në: www.fitr.mk ose në: zabrzanrast2023@fitr.mkmb/

 

QËNDRONI TË LIDHUR