• e martë, 19 nëntor 2024

Konjufca: Skenari serb për Banjskën është identik me pushtimin rus të Krimesë

Konjufca: Skenari serb për Banjskën është identik me pushtimin rus të Krimesë

Prishtinë, 2 tetor 2024 (MIA) - Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se sulmi terrorist i një viti më parë në Banjskë të Zveçanit, nga një formacion paraushtarak serb dhe skenari i kësaj ngjarje është identik me pushtimin rus të Krimesë në vitin 2014, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Në fjalimin e tij në konferencën "Ndikimi i agresionit rus në Ukrainë ndaj gjeopolitikës evropiane", organizuar nga Instituti Kosovar për Studime Hibride Ushtarake "Oktopod", Konjufca tha se Evropa "duke mos i dhënë përgjigje vendimtare në vitin 2014 pushtimit rus të Krimesë", sot përballet me një problem që është më i madh se fati i Ukrainës si shtet sovran dhe dinjiteti i ukrainasve.

"Duke mos iu përgjigjur me vendosmëri në vitin 2014 pushtimit të Krimesë nga Rusia, por duke e trajtuar Rusinë si një partner despotik me të cilin ajo mund të bashkëpunojë ekonomikisht, duke supozuar gabimisht se qëllimet pan-ruse të (Presidentit rus Vladimir) Putin janë të kufizuara, Evropa sot po përballet me një luftë që nuk ka të bëjë vetëm me fatin e Ukrainës si shtet sovran dhe dinjitetin e ukrainasve si komb, por gjithashtu përfaqëson një betejë vendimtare për rendin demokratik në Evropë, e ndërtuar pas rënies së "Perdes së Hekurt" në vitin 1989", ka thënë Konjufca.

Ai theksoi se "pasojat e agresionit rus kundër Ukrainës prekin kontinentin evropian në paqe dhe siguri, në politikë dhe gjeopolitikë, më shumë se në Luftën e Dytë Botërore".

"As Rusia nuk hoqi dorë nga "bota ruse", e as Serbia nuk hoqi dorë nga bota serbe", tha Konjufca.

Sipas kryetarit të Kuvendit të Kosovës, trupat paraushtarake serbe, të mbështetura nga Beogradi zyrtar, synonin hapur aneksimin e veriut të Kosovës.

"Përpjekja për të destabilizuar Bosnjë dhe Hercegovinën, refuzimi i normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën dhe sulmi terrorist në Banjska tregojnë qëllimin e vërtetë të Serbisë, i cili nuk është një qëllim normal, por është qëllimi i Federatës Ruse", tha Konjufca. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR