• e shtunë, 23 nëntor 2024

Konjufca: BE-ja me padurim pret të bashkëpunoj me qeverinë serbe, ndërsa nuk është e gatshme të heqë masat kundër Kosovës

Konjufca: BE-ja me padurim pret të bashkëpunoj me qeverinë serbe, ndërsa nuk është e gatshme të heqë masat kundër Kosovës

Prishtinë, 5 maj 2024 (MIA) - Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka shprehur zhgënjimin për deklaratat e përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian, Zhosep Borel i cili ka uruar qeverinë e re të Serbisë, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Në postimin në platformën “X”, Konjufca thekson se edhe pse është i gatshëm të bashkëpunoj me zëvendëskryeministrin e ri serb Aleksandar Vulin i cili është i sanksionuar nga SHBA, BE-ja nuk shpreh gatishmëri për heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës.

“Është për keqardhje të dëgjosh se BE-ja me padurim pret të punojë me qeverinë serbe, duke përfshirë zëvendëskryeministrin Aleksandër Vulin i cili është nën sanksione të SHBA-së për lidhjet e tij të ngushta me Rusinë, ndërsa ende nuk është gati të heqë masat e padrejta kundër Kosovës”, shkruan kryetari i Kuvendit të Kosovës.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të jashtme dhe siguri, Zhosep Borel ka uruar të premten Millosh Vuçeviqin për zgjedhjen në krye të qeverisë së Serbisë.

“Urime kryeministrit të ri të Serbisë, Millosh Vuçeviq. Me padurim pres të punoj me ju, ministrin për Punë të Jashtme Marko Gjuriq dhe qeverinë serbe për ta çuar Serbinë përpara në rrugën e saj drejt BE-së”, ka shkruar Borel.

Deputetët e Kuvendit të Serbisë më 2 maj e zgjodhën Qeverinë e re të kryesuar nga Millosh Vuçeviq i cili ditë më parë paralajmëroi se Serbia nuk do të ndryshojë qëndrimet e mëparshme në raport me Rusinë dhe Kosovën.

Borel theksoi se “harmonizimi dhe veprimi në përputhje me vlerat e BE-së dhe politikën e jashtme dhe të sigurisë janë shenja thelbësore të orientimit strategjik”.

BE-ja disa ditë më parë e kushtëzoi zyrtarisht integrimin e Serbisë me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Vuçeviqi tha një ditë para se të votohet qeveria e tij, tha se pritshmëritë e BE-së lidhen me atë që Serbia të "poshtërohet" vetvetiu duke njohur pavarësinë e Kosovës dhe duke iu bashkuar sanksioneve kundër Rusisë për shkak të okupimit të Ukrainës.

Megjithatë, ai ka theksuar se Serbia nuk do t'u bashkohet sanksioneve kundër Rusisë.

“Nuk ka dyshim që presionet do të vazhdojnë, ndoshta do të intensifikohen, por ne jemi të vendosur të qëndrojmë në të njëjtat pozicione. Serbia nuk mund dhe nuk do të heqë dorë nga miqësia me Rusinë, popullin e së cilës e konsiderojmë vëllazëror, siç është rasti me ukrainasit. Ne e kemi dënuar qartë sulmin rus ndaj Ukrainës, por deklaruam se nuk do t'i bashkohemi politikës së sanksioneve”, tha Vuçeviqi.

Kryeministri i ri serb do të ketë kabinet të përbërë nga 25 ministra dhe pesë ministra pa portofol.

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR