• e hënë, 23 dhjetor 2024

Konfirmohet takimi i kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë të enjten e ardhshme në Bruksel

Konfirmohet takimi i kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë të enjten e ardhshme në Bruksel

Prishtinë, 9 nëntor 2023 (MIA) - Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe kryenegociator në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi të enjten e ardhshme, më 16 nëntor, do të takohet në Bruksel me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, në kuadër të raundit të ri të bisedimeve me ndërmjetësim të BE-së, konfirmuan burime nga Brukseli për portalin e Prishtinës "Reporteri".

Zëdhënësi i Zyrës së të dërguarit të posaçëm për politikë të jashtme dhe siguri të BE-së, Peter Stano, në përgjigjen me shkrim për portalin informoi se fokusi do të jetë te hapat e ardhshëm në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

"Mund të konfirmojmë se i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak do të presë një takim në nivel të kryenegociatorëve në Bruksel të enjten e ardhshme. Takimi do të fokusohet në hapat e ardhshëm në procesin e normalizimit dhe zbatimin e angazhimeve të palëve në dialog", ka thënë Stano.

Siç informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina, Bislimi dje, duke folur për takimet e mundshme në Bruksel në kuadër të dialogut, ka thënë se Kosova më nuk do të bëjë kompromise, gjatë kësaj duke insistuar se marrëveshjet duhet të zbatohen në tërësi.

"Nuk jemi më në fazën e negociatave në Bruksel; por jemi në fazën e zbatimit të marrëveshjeve. Pra nuk ka më kompromise në negociata, kompromiset kanë mbaruar. Tani jemi në fazën e zbatimit të marrëveshjeve ku Kosova insiston që marrëveshjet të zbatohen në tërësi pa parakushte dhe pa vonesa", deklaroi Bislimi pas takimit me shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Suniog. fc/

 

QËNDRONI TË LIDHUR