• e shtunë, 23 nëntor 2024

Komuna Qendra e Zhupës nënshkroi marrëveshje për hapjen e zyrës për diasporë

Komuna Qendra e Zhupës nënshkroi marrëveshje për hapjen e zyrës për diasporë

Dibër, 4 nëntor 2022 (MIA)Marrëveshje bashkëpunimi midis autoriteteve lokale dhe ministrit të angazhuar për Diasporën, për hapjen e zyrës për diasporën, sot pasdite u nënshkrua me Komunën Qendra e Zhupës. Marrëveshjen e nënshkruan ministri i angazhuar për Diasporën, Xhemail Çupi dhe kryetari i komunës Arijan Ibraim.

"Për ne të dy, diaspora e komunës Qendra e Zhupës ka rëndësi dhe peshë të madhe, pasi, me nënshkrimin e kësaj marrëveshje e hapim një kapitull të ri me të cilin qytetarëve të kësaj komune që jetojnë jashtë vendit do t'u mundësohet qasje e lehtë në informacionet e nevojshme. Gjithashtu, do t'u jepen udhëzime shtesë për shkak të realizimit të të drejtave dhe obligimeve të tyre në procedurat relevante para organeve kompetente gjatë qëndrimit në vendlindje", kumtoi ministri Çupi.

Shtoi se takimi i mbajtur ka qenë me rëndësi të madhe pasi bashkërisht janë dakorduar të punojnë në ndërmarrjen e hapave të mëtejmë të nevojshëm deri në realizimin e projektit.

"Kjo komunë është e pesta nga 23 në vend ku do të hapen zyra të tilla. Marrëveshje më parë janë nënshkruar në Krushevë, Makedonski Brod, Koçan dhe Mavrovë e Rostushë. Komunat e ardhshme me të cilat do të bashkëpunojmë në sferën e diasporës, gjegjësisht me të cilat ministri Çupi do të nënshkruajë marrëveshje javën e ardhshme, janë Gostivari, Karposhi, Aerodromi, Gazi Baba dhe Kërçova", deklaroi për MIA-n Albert Dede, këshilltar në kabinetin e ministrit Çupi.

Në mesin e komunave me të cilat do të nënshkruhet marrëveshje për hapjen e zyrës për diasporën është edhe komuna e Dibrës, e cila vetëm në SHBA i ka rreth 20 mijë nga diaspora. vt/shk/

QËNDRONI TË LIDHUR