• e premte, 05 dhjetor 2025

Komisioni Evropian nesër do të publikojë pakon e raporteve për zgjerimin

Komisioni Evropian nesër do të publikojë pakon e raporteve për zgjerimin

Bruksel, 3 nëntor 2025 (MIA) – Komisarja evropiane për zgjerim, Marta Kos pritet të paraqesë nesër një pako raportesh mbi progresin e rrugës evropiane të vendeve kandidate për anëtarësim në BE për vitin 2025.

Fillimisht u paralajmërua se Kos do të prezantojë edhe një të ashtuquajtur raport para zgjerimit i cili do të theksonte reformat që BE-ja duhet të zbatojë për t'u përgatitur për pranimin e anëtarëve të rinj, por sipas informacioneve të fundit, "prezantimi i tij do të shtyhet për disa javë, të paktën deri më 19 nëntor".

Më parë, Kos theksoi se zgjerimi është një mjet kyç gjeopolitik me të cilin BE-ja tregon se "në të vërtetë i përgjigjet sfidave me të cilat përballet e gjithë Evropa".

Sipas saj, duke mbështetur vendet kandidate në rrugën drejt anëtarësimit në BE, Brukseli manifeston se mund t'i kundërvihet atyre forcave që dëshirojnë të destabilizojnë Unionin.

Kos shtoi gjithashtu se duke zbatuar procesin e zgjerimit dhe duke pranuar të gjithë kandidatët në BE, blloku për herë të parë në histori mund të zgjerohet në "të gjithë pjesën kontinentale" të Evropës.

Pritet që në raportet e Komisionit Evropian të konfirmohet angazhimi ndaj procesit të pranimit dhe perspektivën e "bashkimit të Evropës", por edhe të nxjerrë në pah mangësi të caktuara për secilin prej vendeve kandidate.

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR