Komisioni evropian: Në Evropë tashmë po ndjehen shenjat e para të thatësisë
- Shenjat e para të thatësisë tashmë i goditën Francën, Spanjën dhe Italinë veriore, duke shkaktuar shqetësim për furnizimin me ujë, kumtoi Komisioni evropian.
- Post By Arta Bunjaku
- 19:39, 20 mars, 2023
Bruksel, 20 mars 2023 (MIA) - Shenjat e para të thatësisë tashmë i goditën Francën, Spanjën dhe Italinë veriore, duke shkaktuar shqetësim për furnizimin me ujë, kumtoi Komisioni evropian.
"Për shkak të thatësisë ekstreme dhe dimrit të ngrohtë, pjesa më e madhe e Evropës jugore dhe perëndimore është kapluar me anomali kur bëhet fjalë për lagështinë e truallit dhe vëllimin e ujit në lumenj", kumtoi Komisioni.
Ekuivalenti ujor i borës në Alpe është shumë nën mesataren historike dhe do të shkaktojë pakësime serioze të sasive të ujit nga shkrirja e borës që derdhet në lumenj, theksoi Eurokomisioni, transmeton Hina.
Ekspertët janë të shqetësuar sepse kjo i rrezikon rezervat e ujit për bujqësinë, prodhimin e energjisë dhe njerëzit, sipas raportit. Evropën e pret pranverë më e ngrohtë se mesatarja, ndërsa parashikimet për reshje të shiut janë të pasigurta, thuhet në raport.
Komisioni evropian në raport këshillon të ndiqet me kujdes niveli i ujit dhe të përgatiten plane për ruajtje të ujit sepse ekziston rrezik i madh që sezoni të jetë kritik kur bëhet fjalë për resurset e ujit.
Paralajmërimi për thatësi është dhënë pasi që Evropa e përjetoi dimrin e dytë më të ngrohtë prej fillimit të mbajtjes së evidencës në vitin 1979, sipas Kopernikut, program evropian për ndjekje të klimës.
Vera e kalaur, e cila sërish ishte mes më të nxehtave deri më tani, valët e të nxehtit, pak reshje të shout dhe trualli i thatë shkaktuan thatësira që e rritën rerzikun për zjarre pyjore. ab/