• e hënë, 23 dhjetor 2024

Koen dhe Kolona: Franca mund të luajë rol kyç në shmangien e luftës me Hezbollahun në Liban

Koen dhe Kolona: Franca mund të luajë rol kyç në shmangien e luftës me Hezbollahun në Liban

Tel Aviv, 17 dhjetor 2023 (MIA) - Shefi i diplomacisë izraelite, Eli Koen sot deklaroi se Franca mund të luajë rol kyç në parandalimin e një lufte potenciale gjithëpërfshirëse mes Izraelit dhe grupit terrorist Hezbollah me bazë në Liban, bën të ditur "Tajmsi izraelit".

Franca mund të luajë rol pozitiv dhe domethënës për të parandaluar luftën në Liban, tha Koen në brifingun e përbashkët me ministren për Punë të Jashtme të Francës Ketrin Kolona e cila nga sot gjendet për vizitë në Izrael.

Izraeli prej kohësh thekson se grupi terrorist Hezbollah i cili mbështetet drejtpërdrejt nga Irani duhet të dëbohet në veri të lumit Litani.

Rezoluta 1701 e Këshillit të Sigurisë së KB-së e cila në vitin 2006 i dha fund Luftës së dytë të Libanit ia ndaloi Hezbollahut të mbante prani ushtarake në jug të Litanit që gjendet rreth 30 kilometra (18 milje) në veri të kufirit izraelito-libanez.

Hezbollahu në mënyrë flagrante e ka shkelur këtë rezolutë dhe kryen rregullisht sulme ndaj Izraelit afër kufirit.

Izraeli ka paralajmëruar se nuk do të tolerojë më praninë e grupit terrorist përgjatë kufirit të tij verior pasi rreth 3.000 terroristë të Hamasit sulmuan kufirin nga Rripi i Gazës më 7 tetor.

Që nga ajo datë, luftëtarët e Hezbollahut thuajse çdo ditë kanë sulmuar komunitetet izraelite në kibucët dhe postblloqet ushtarake përgjatë kufirit, transmeton "Tajms of Izrael".

Foto: MPJ e Izraelit

 

QËNDRONI TË LIDHUR