• e diel, 22 dhjetor 2024

Klimenko: Rusia nisi sulmin më të madh këtë vit

Klimenko: Rusia nisi sulmin më të madh këtë vit

Kiev, 1 nëntor 2023 (MIA) - Ministri ukrainas Igor Klimenko sot kumtoi se Rusia ka granatuar më shumë se 100 vende të populluara në 24 orët e fundit, më shumë se çdo ditë tjetër këtë vit.

Forcat ruse gjuajtën miliona granata ndaj qyteteve dhe fshatrave ukrainas përgjatë linjës së frontit pasi e filluan ofensivën shkurtin e kaluar, kështu shumë vende në Ukrainën lindore u bënë rrënoja.

"Në 24 orët e fundit armiku granatoi 118 vende të populluara në 10 rajone. Ky është numri më i madh i qyteteve dhe fshatrave që janë sulmuar nga fillimi i vitit", shënoi Klimenko në rrjetet sociale.

Ai njoftoi edhe për sulmin rus ndaj rafinerisë së naftës në Kremençuk, qytet industrial në pjesën qendrore të vendit.

"Nuk ka pasur viktima, por nevojiteshin pothuajse 100 zjarrfikës për ta shuar zjarrin", tha Klimenko.

Kievi dhe Perëndimi kanë frikë se Rusia do t'i përforcojë sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës para dimrit të ftohtë, siç bëri Moska vitin e kaluar.

Gjatë granatimit të natës një person humbi jetën në rajonin verilindor Harkov dhe një në rajonin jugor Herson, kumtuan autoritetet lokale.

Forcat e aviacionit të Ukrainës sot njoftuan se kanë rrëzuar 18-të nga 20-të dronët e lansuar gjatë natës, ndërsa Ministria ruse e Mbrojtjes informoi se kanë rrëzuar dy dronë mbi rajonet Bërjansk dhe Kursk, të cilat kufizohen me Ukrainën. sa/

foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR