• e hënë, 23 dhjetor 2024

Kirbi: Bajden i kumtoi Netanjahut se ai ende beson në perspektivën dhe mundësinë për një shtet palestinez

Kirbi: Bajden i kumtoi Netanjahut se ai ende beson në perspektivën dhe mundësinë për një shtet palestinez

Uashington, 20 janar 2024 (MIA) - Presidenti amerikan Xho Bajden "edhe më tej beson në perspektivën dhe mundësinë" e një shteti palestinez, por "e pranon se do të duhet shumë punë për të arritur atje", deklaroi zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Xhon Kirbi.

Sipas zëdhënësit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Bajden diskutoi pozicionin e tij me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu për rreth "30 deri në 40 minuta", transmetuan mediat franceze.

Biseda e mbrëmshme ishte e para mes dy liderëve, marrëdhëniet e të cilëve kanë qenë mjaft të acaruara, që prej 23 dhjetorit.

Presidenti amerikan, ndër të tjera, foli për "përpjekjet për lirimin e pengjeve" që mbahen ende në Rripin e Gazës dhe "përgjegjësinë" e Izraelit për të mbrojtur civilët në zonën, shtoi Kirbi.

Netanjahu hodhi poshtë të enjten thirrjen e përsëritur të Bajdenit për një bashkëjetesë të ardhshme midis Izraelit dhe shtetit palestinez.

"Izraeli duhet të ketë kontroll të sigurisë mbi të gjithë territorin në perëndim të lumit Jordan. Ky është një kusht i domosdoshëm, i cili është në kundërshtim me idenë e sovranitetit (palestinez), tha kryeministri, duke shtuar se këtë ua ka thënë drejtpërdrejt amerikanëve.

Qëndrimi i tij nuk është i ri, por këto vërejtje theksuan edhe një herë dallimet mes SHBA-së dhe aleatit të saj.

Mediat amerikane raportojnë se biseda e fundit mes dy liderëve është zhvilluar më 23 dhjetor dhe ka qenë e stuhishme. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

QËNDRONI TË LIDHUR