Kina: SHBA-të nuk janë në pozitë të komentojnë çështjen e Tibetit
- Ministria e Punëve të Jashtem e Kinës sot njoftoi se SHBA-të “nuk janë në pozitë të tregojnë me gisht nga Kina” për çështje që kanë të bëjnë me Tibetin dhe pasardhësin e Dalai Lamës, dhe i bëri thirrje Uashingtonit të njohë plotësisht “rëndësinë dhe ndjeshmërinë” e kësaj çështjeje.
- Post By Qefsere Abduli
- 15:22, 8 korrik, 2025
Pekin, 8 korrik 2025 (MIA) - Ministria e Punëve të Jashtem e Kinës sot njoftoi se SHBA-të “nuk janë në pozitë të tregojnë me gisht nga Kina” për çështje që kanë të bëjnë me Tibetin dhe pasardhësin e Dalai Lamës, dhe i bëri thirrje Uashingtonit të njohë plotësisht “rëndësinë dhe ndjeshmërinë” e kësaj çështjeje.
Zëdhënësja e ministrisë, Mao Ning, reagoi ndaj deklaratës së sekretarit amerikan të shtetit, Marko Rubio, i cili tha se Dalai Lama i frymëzon njerëzit në mbarë botën dhe shprehu mbështetje për ruajtjen e trashëgimisë gjuhësore, kulturore dhe religjioze të tibetianëve, përfshirë të drejtën e tyre për të zgjedhur lirshëm udhëheqësit e tyre fetarë.
Mao tha se Dalai Lama është “një ekzil politik që merr pjesë në aktivitete separatiste anti-kineze nën maskën e religjionit” dhe se “nuk ka të drejtë të përfaqësojë popullin tibetian ose të vendosë për të ardhmen e Tibetit”.
Ajo shtoi se Kina praktikon politikën e lirisë fetare dhe ka të drejtë të miratojë pasardhësin e Dalai Lamës, duke iu referuar traditave nga koha e perandorisë.
Dalai Lama javën e kaluar u tha ndjekësve të tij se do të reinkarnohet dhe se institucioni që ai ka themeluar do të ketë të drejtën e vetme për të identifikuar pasardhësin e tij, duke sfiduar këmbënguljen e Kinës që Pekini të vendos.
Rubio, gjithashtu, në maj, bëri thirrje për “lirimin e menjëhershëm” të Gedun Çoki Nima, i cili u shpall si Pançen Lama i 11-të nga Dalai Lama në vitin 1995, kur ishte gjashtë vjeç, pas së cilës fëmija u zhduk.
Pekini së fundmi e emëroi Gjalcen Norbun për Pançen Lama. Pançen Lama luan një rol kyç në identifikimin e pasardhësit të ardhshëm të Dalai Lamës. qa/
Foto: Arkivi i MIA-s