• e enjte, 04 dhjetor 2025

Kina akuzon SHBA-në për standarde të dyfishta pasi Trampi njoftoi tarifa të reja

Kina akuzon SHBA-në për standarde të dyfishta pasi Trampi njoftoi tarifa të reja

Pekin, 12 tetor 2025 (MIA) - Kina akuzoi SHBA-në për standarde të dyfishta dhe kërcënoi me kundërmasa pas njoftimit të presidentit Donald Tramp për tarifa shtesë.

Ministria e Tregtisë e Pekinit njoftoi të martën se Uashingtoni ka keqpërdorur prej kohësh parimin e sigurisë kombëtare, ka aplikuar kontrolle të eksportit, ka zbatuar masa diskriminuese kundër Kinës dhe ka zgjeruar në mënyrë të njëanshme juridiksionin e tij mbi produkte të tilla si gjysmëpërçuesit dhe çipat kompjuterikë.

Kina akuzoi gjithashtu SHBA-në për prishjen e zinxhirëve globalë të furnizimit dhe i bëri thirrje administratës së Uashingtonit të korrigjojë "gabimet" e saj, të respektojë rezultatet e bisedimeve të mëparshme tregtare dhe të adresojë shqetësimet e përbashkëta përmes dialogut.

"Nëse SHBA insiston të vazhdojë në rrugën e gabuar, Kina me siguri do të marrë masa të vendosura për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e saj legjitime", kumtoi ministria.

Trampi tha të premten se SHBA planifikon të vendosë një tarifë shtesë prej 100 për qind mbi importet kineze duke filluar nga 1 nëntori. Kjo pasoi njoftimin e Kinës për të zgjeruar kontrollin e eksportit mbi mineralet e rralla.

Ministria kineze e justifikoi masën e saj si një përpjekje legjitime për të përmirësuar sistemin e kontrollit të eksportit, duke përmendur rëndësinë strategjike të mineraleve të rralla për aplikimet ushtarake dhe konfliktet globale.

Kina është prodhuesi kryesor në botë i këtyre lëndëve të para kritike, gjë që i jep asaj një avantazh të konsiderueshëm negociues në marrëdhëniet me SHBA-në, raportoi DPA. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR