• e premte, 05 dhjetor 2025

Kim Xhong-un mbajti ceremoni në nder të ushtarëve të rënë që luftuan për Rusinë kundër Ukrainës

Kim Xhong-un mbajti ceremoni në nder të ushtarëve të rënë që luftuan për Rusinë kundër Ukrainës

Phenian, 22 gusht 2025 (MIA) - Lideri i Koresë së Veriut, Kim Xhong- un ka mbajtur ceremoni në nder të ushtarëve dhe komandantëve që luftuan për Rusinë kundër Ukrainës.

Imazhet e publikuara nga mediat shtetërore të Koresë së Veriut tregojnë liderin Kim Xhong- un të gjunjëzuar para portreteve të ushtarëve që humbën jetën duke luftuar për Rusinë kundër Ukrainës dhe duke puthur një të mbijetuar të konfliktit.

Në ceremoninë e mbajtur në selinë e Partisë punëtore të Koresë, Kim Xhong- un përshëndeti ushtarët "hero" që u kthyen pasi, siç tha ai, "mbijetuan breshërinë e plumbave dhe bombave".

Pamjet gjithashtu tregojnë atë duke përqafuar një ushtar. Ai shihet gjithashtu duke u gjunjëzuar para një portreti të një ushtari që ra në betejë dhe duke vendosur medalje dhe lule para fotografive të të tjerëve.

Kim Xhong- un gjithashtu u ndau tituj Hero të Republikës Popullore Demokratike të Koresë (emri zyrtar i Koresë së Veriut) komandantëve që luftuan në operacione jashtë vendit dhe "arritën rezultate të konsiderueshme".

Koreja e Veriut për herë të parë konfirmoi në prill se kishte pozicionuar një kontingjent të trupave të saj përkrah rusëve kundër ukrainasve.

Agjencitë e inteligjencës së Koresë së Jugut dhe ato perëndimore kanë konfirmuar se Pheniani ka dërguar më shumë se 10.000 trupa në rajonin e Kurskut të Rusisë në vitin 2024, si dhe predha artilerie, raketa dhe sisteme raketash me rreze të gjatë veprimi.

Rreth 600 ushtarë të Koresë së Veriut janë vrarë, ndërsa mijëra janë plagosur duke luftuar për Rusinë, gjithnjë sipas raporteve të Koresë së Jugut.

Pheniani dhe Moska janë të lidhura me marrëveshje për siguri dhe mbrojtje që nga viti 2024.

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR