• e premte, 05 dhjetor 2025

Ketlin van Brempt për ENR/MIA: BE-ja duhet të dëshmojë se është e gatshme për zgjerim

Ketlin van Brempt për ENR/MIA: BE-ja duhet të dëshmojë se është e gatshme për zgjerim

Strasburg, 23 tetor 2025 (MIA) - Zgjerimi është i mirë për Bashkimin Evropian, ashtu siç është i mirë për vendet e përfshira në procesin e aderimit, sepse do të krijojë prosperitet më të madh, unitet më të madh, si dhe shpresojmë, më shumë demokraci, tha eurodeputetja belge Ketlin van Brempt në një deklaratë për Agjencinë Evropiane të Lajmeve (ENR), pjesë e së cilës është edhe MIA.

"Domethënë, është koha për të dhënë rezultate dhe kjo do të thotë që ne duhet t'u dëshmojmë (vendeve nga) Ballkani Perëndimor dhe vendeve të tjera të përfshira në procesin e aderimit se jemi gati për zgjerim", thotë Van Brempt, e cila është nënkryetare e Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve (SD) dhe e cila punon kryesisht në çështje që lidhen me tregtinë dhe zgjerimin e BE-së.

Por, sipas saj, përpara se vendet kandidate të mund të bashkohen me Unionin, ato do të duhet të zbatojnë më shumë reforma.

"Duam garanci se reformat sociale, mjedisore dhe ekonomike kanë përfunduar dhe më e rëndësishmja që sundimi i ligjit dhe vlerat demokratike mbi të cilat bazohet Bashkimi Evropian janë vërtet të garantuara", shtoi Van Brempt.

Ajo vlerësoi se në Ballkan mbizotëron "identiteti i ekskluziviteti", i cili fillon nga pozicioni se të gjithë të tjerët kanë gabim dhe vetëm ne kemi të drejtë.

"Nuk ka asgjë të keqe me identitetin dhe gjuhën, por në momentin që ai identitet bëhet diçka që përjashton të tjerët dhe i kundërshton ata, atëherë ai bëhet një kërcënim për vetë demokracinë dhe për paqen. Shpresoj që brezat e rinj, për shembull në Serbi, në Maqedoninë e Veriut, por edhe në Gjeorgji, do të shkojnë kundër kësaj dhe do të punojnë për ndërtimin e një identiteti të vërtetë evropian", theksoi Van Brempt.

Ai identiteti evropian, sipas saj, është gjithëpërfshirës sepse përfshin shumë gjuhë dhe kultura të ndryshme, por në të njëjtën kohë bazohet edhe në vlera të përbashkëta, siç janë demokracia, sundimi i ligjit, respekti për njëri-tjetrin dhe barazia midis qytetarëve.

"Të gjitha këto gjëra i përkasin identitetit evropian", thotë Van Brempt, duke shtuar se si dikush që vjen nga Antuerp, ajo personalisht identifikohet si qytetare e atij qyteti flamand, por në të njëjtën kohë si evropiane.

Van Brempt vlerëson gjithashtu se në disa nga vendet kandidate për anëtarësim në BE, si Serbia, Gjeorgjia dhe Moldavia, por edhe në anëtarët e Unionit, si Rumania, retorika anti-BE është e dukshme, prandaj është e rëndësishme që njerëzit të dinë se axhenda e presidentit rus Vladimir Putin dhe regjimit në Moskë është kristal e qartë dhe është kundër Bashkimit Evropian.

"Ata kanë frikë nga një Unioni i fortë ku njerëzit dhe vendet janë të bashkuar së bashku me të njëjtin qëllim - një Evropë të lirë dhe të begatë, e cila bazohet në vlera të përbashkëta. Ky është një kërcënim real për Rusinë dhe kjo është arsyeja pse ata po minojnë demokracinë dhe ndjenjat pro-evropiane si në Serbi ashtu edhe në Gjeorgji, por edhe brenda Bashkimit Evropian, shton Van Brempt.

Eurodeputetja belge gjithashtu beson se deklarata e kryetares së Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, gjatë vizitës së saj të fundit në Beograd se Serbia ka bërë përparim, dërgon mesazhin e gabuar.

"Ndoshta ka pasur ndonjë iniciativë të re këtu e atje ose ndonjë propozim të ri ligjor, por duhet të shohim se çfarë po ndodh në terren në Serbi", beson Van Brempt.

Ajo vlerëson se protestat aktuale në Serbi, të cilat fillimisht lidheshin me incidentin në Novi Sad dhe kërkesat për transparencë më të madhe dhe luftë kundër korrupsionit, janë shndërruar në një protestë mbarëkombëtare për demokraci.

"Mendoj se e ardhmja e Serbisë është në Bashkimin Evropian. Por duhet të jetë një Serbi demokratike e bazuar në gjithçka që karakterizon demokracinë - sundimin e ligjit, një gjyqësor të pavarur, lirinë e fjalës dhe lirinë nga presioni", përfundoi Van Brempt. mb/

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR