KE-ja zhvillon Strategji si përgjigje ndaj krizave dhe sfidave komplekse
- Komisioni Evropian ka përgatitur Strategji për gatishmëri që synon të mbështesë shtetet anëtare dhe të forcojë aftësinë e Evropës për të parandaluar dhe për t'iu përgjigjur kërcënimeve të reja, në mënyrë që të përmirësohen mundësitë e bllokut "për t'u përballur me kriza dhe sfida gjithnjë e më komplekse që nuk mund të injorohen".
- Post By Fami Bajrami
- 12:02, 27 mars, 2025

Bruksel, 27 mars 2025 (MIA) - Komisioni Evropian ka përgatitur Strategji për gatishmëri që synon të mbështesë shtetet anëtare dhe të forcojë aftësinë e Evropës për të parandaluar dhe për t'iu përgjigjur kërcënimeve të reja, në mënyrë që të përmirësohen mundësitë e bllokut "për t'u përballur me kriza dhe sfida gjithnjë e më komplekse që nuk mund të injorohen".
Nga rritja e tensioneve dhe konflikteve gjeopolitike, kërcënimet hibride dhe atyre të sigurisë kibernetike, manipulimi dhe dezinformimi nga jashtë, tek ndryshimet klimatike dhe katastrofat natyrore në rritje, BE-ja duhet të jetë e përgatitur për të mbrojtur qytetarët e saj dhe funksionet kryesore shoqërore të cilat janë thelbësore për demokracinë dhe jetën e përditshme", bën të ditur Komisioni Evropian.
Siç njofton korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, Strategjia përfshin rreth 30 aktivitete kyçe dhe një plan të detajuar të veprimit për avancimin e qëllimeve të Bashkimit Evropian për forcimin e gatishmërisë së tij, si dhe zhvillimin e një "kulture të gatishmërisë" në të gjitha politikat e BE-së.
Ndër qëllimet kryesore të përshkruara në strategji janë respektimi i standardeve minimale për gatishmërinë e institucioneve që ofrojnë shërbime thelbësore, si spitalet, shkollat dhe kompanitë e transportit dhe telekomunikacionit në kohë krize, përmirësimi i kapaciteteve të ruajtjes për pajisjet dhe materialet kritike, si dhe përmirësimi i përshtatjes klimatike dhe qasja në resurset kritike natyrore, siç është uji.
Për më tepër, ndër qëllimet e Strategjisë është gatishmëria më e madhe e popullatës duke inkurajuar miratimin e masave praktike, si sigurimi i furnizimeve bazë për të paktën 72 orë në raste urgjente, duke përfshirë trajnimin e gatishmërisë në programet shkollore dhe vendosja e Ditës së përgatitjes së BE-së.
Strategjia parashikon gjithashtu vendosjen e një qendre krizash në nivel të BE-së për koordinimin dhe integrimin e strukturave ekzistuese të reagimit ndaj krizave, zhvillimin e stërvitjeve të rregullta në mbarë BE-në që përfshinë forcat e armatosura, mbrojtjen civile, policinë, strukturat e sigurisë, punonjësit shëndetësorë dhe zjarrfikësit, si dhe inkurajimin e investimeve në projekte me përdorim të dyfishtë.
Sipas kryetares së Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, realiteti i ri në botë kërkon një nivel të ri gatishmërie në Evropë.
“Qytetarët tanë, shtetet tona anëtare dhe bizneset tona kanë nevojë për mjetet e duhura për të vepruar, për të parandaluar krizat dhe për të reaguar shpejt kur të ndodhë ndonjë katastrofë”, tha Fon der Lajen.
Ajo shtoi se familjet që jetojnë në zonat e përmbytjeve "duhet të dinë se çfarë të bëjnë kur ujërat rriten" dhe se shtetet dhe partnerët e besuar mund të "shpëtojnë jetë dhe mjete për jetesë".
Përfaqësuesja e lartë për punë të jashtme dhe politikë të sigurisë, Kaja Kallas vlerëson se në një situatë ku Evropa përballet me një numër në rritje sfidash të jashtme dhe të sigurisë dhe një numër në rritje të kërcënimeve hibride, është e qartë se ajo duhet të jetë më e fortë në të gjitha frontet dhe në çdo nivel të shoqërisë.
"Është gjithmonë më mirë të parandalohen krizat se sa të merreni me pasojat e tyre. Qëllimi i Strategjisë sonë është të ndërtojmë një pasqyrë gjithëpërfshirëse të kërcënimeve me të cilat përballemi, të përgatisim qytetarët, duke përfshirë përmirësimin e ndërgjegjësimit të tyre për rrezikun, forcimin e bashkëpunimit civilo-ushtarak dhe bashkëpunimin më të ngushtë me partnerët e jashtëm, përfshirë edhe NATO-n”, tha Kallas.
Sipas nënkryetares ekzekutive të KE-së për të drejtat dhe aftësitë sociale, punë cilësore dhe gatishmëri, Roksana Manzatu, kjo Strategji është e dedikuar për njerëzit dhe shoqëritë, në mënyrë që çdo gjë të funksionojë siç duhet kur ndodh ndonjë krizë.
"Ne jemi të përgatitur të veprojmë shpejt dhe në mënyrë efikase dhe për ta bërë këtë kemi nevojë për një mënyrë të re të të menduarit për gatishmërinë, në mënyrë që të gjithë të dinë se çfarë të bëjnë në rast urgjent, pavarësisht nga natyra e saj," tha Manzatu.
Foto: arkivi i MIA-s