• e premte, 22 nëntor 2024

KE-ja propozoi ndryshime në buxhetin e BE-së për vitin 2024, 501 milionë euro të destinuara për Ballkanin Perëndimor

KE-ja propozoi ndryshime në buxhetin e BE-së për vitin 2024, 501 milionë euro të destinuara për Ballkanin Perëndimor

Bruksel, 1 mars 2024 (MIA) - Në përputhje me revizionin e miratuar të Kornizës Financiare Shumëvjeçare (MFF) për periudhën 2021-2027, Komisioni Evropian propozoi ndryshime në buxhetin e BE-së për vitin 2024, të cilat parashikojnë 501 milionë euro për Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Siç raporton korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, Buxheti i ndryshuar, i cili është rritur për mbi 5.8 miliardë euro, duhet t'i mundësojë BE-së të vazhdojë me realizimin e prioriteteve të përbashkëta për këtë vit në favor të qytetarëve që jetojnë në Union, por edhe jashtë tij.

"Në veçanti, do të forcojë mbështetjen tonë për Ukrainën, do të rrisë investimet në teknologjitë kritike dhe mbrojtjen dhe do të sigurojë burime shtesë për të mbështetur partnerët nga Ballkani Perëndimor", njoftoi Komisioni Evropian, duke shtuar se me ndryshimet gjithashtu në buxhetin e BE-së ndahen edhe fonde për të ndihmuar vendet anëtare në rast të fatkeqësive natyrore ose krizave humanitare.

Me ndryshimet në Buxhetin e BE-së për vitin 2024, përveç 501 milionë eurove për reforma dhe rritje të Ballkanit Perëndimor, 4.8 miliardë euro janë destinuar për të forcuar mekanizmin ukrainas, për të mbështetur Ukrainën, 376 milionë euro janë caktuar për platformën për Teknologjitë Strategjike për Evropën (STEP) si pjesë e Fondit Evropian të Mbrojtjes dhe 365 milionë euro për Rezervat Evropiane të Solidaritetit dhe Emergjencave.

Propozimi për ndryshimin e buxhetit për vitin 2024 tani do të dorëzohet për miratim në Parlamentin Evropian dhe Këshillin e BE-së. sa/

Foto: Arkivi i MIA-S

QËNDRONI TË LIDHUR