• e enjte, 04 dhjetor 2025

KE-ja prezantoi Strategjinë për përforcimin e Tregut të vetëm evropian

KE-ja prezantoi Strategjinë për përforcimin e Tregut të vetëm evropian

Bruksel, 21 maj 2025 (MIA) - Komisioni Evropian sot prezantoi Strategjinë e Tregut të vetëm të BE-së, qëllimi i të cilit është të krijojë një treg më të thjeshtë dhe më të fuqishëm të brendshëm evropian.

"Në botën e sotme të pasigurt, partnerët e parë të evropianëve duhet të jenë vetë evropianët. Koha është që kompanitë evropiane të 'evropianizohen' para se të "ndërkombëtarizohen", potencoi nënkryetari ekzekutiv i Komisionit Evropian për prosperitet dhe strategji industriale, Stefan Sezhurne, gjatë prezantimit të Strategjisë.

Sipas tij, kjo Strategji do ta "lehtësojë jetën" e bizneseve dhe do të kontribuojë në heqjen e barrierave kryesore që ende e pengojnë tregtinë në kuadër BE-së.

"Strategjia e sotme vendos qasje dhe metodë të re. Me bashkimin e përpjekjeve tona, mund të rrisim përfitimet e Tregut të vetëm, i cili është gurthemeli ekonomik dhe social i Evropës", shtoi Sezhurne.

Strategjia, sipas tij, përcakton "aksione të guximshme" për të ulur barrierat ekzistuese që pengojnë tregtinë dhe investimet në kuadër të BE-së, ndihmon ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të punojnë dhe të zgjerojnë aktivitetet e tyre dhe e bën më të lehtë për bizneset duke inkurajuar digjitalizimin.

"Strategjia u bën thirrje vendeve anëtare të japin kontributin e tyre, për ta bërë tregun e BE-së zgjidhje më të mirë për kompanitë, punëtorët dhe konsumatorët", potencoi Sezhurne.

Sipas KE-së, në botën e sotme të shënuar nga paqëndrueshmëria ekonomike dhe tensionet tregtare, Tregu i vetëm i BE-së është shtytësi kryesor i konkurrencës evropiane. Ai kontribuon në rritjen e BPV-së së BE-së për të paktën tre deri në katër për qind dhe krijon 3,6 milionë vende pune, ndërsa me përfundimin e mëtutjeshëm të tij, këto përfitime do të dyfishohen.

Strategjia përqëndrohet në heqjen e të gjitha barrierave për bizneset, vendosjen e dinamikave të reja në sektorin e shërbimeve evropiane, mbështetjen e zhvillimit dhe rritjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, thjeshtimin e rregullave ekzistuese dhe inkurajimin e digjitalizimit.

Sipas KE-së, që nga krijimi i tij para më shumë se 30 viteve, Tregu i vetëm evropian ka qenë katalizator i fuqishëm për rritjen, prosperitetin dhe solidaritetin e Evropës. Ai përfaqëson një tërësi prej 26 milionë bizneseve dhe 450 milionë konsumatorëve, me çka e bën Evropën tregun e dytë më të madh në botë me BPV prej 18.000 miliardë euro, që paraqet 18 për qind të ekonomisë globale.

Prezantimi i Strategjisë së re vijon pasi prillin e kaluar Këshilli Evropian i bëri thirrje KE-së që më së voni deri në qershor të përgatisë një plan të detajuar të aktiviteteve, për të forcuar Tregun e vetëm të BE-së, me kornizë qartë të përcaktuar kohore. rq/bsh/

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR