KE-ja përgatit plan për përfaqësim të drejtë të vendeve anëtare mes personelit në institucionet e BE-së
- Eurokomisari për Buxhetin dhe Administratën Publike, Pjotr Serafin hartoi një plan për përfaqësim të drejtë të vendeve anëtare mes punonjësve në institucionet e BE-së, pasi Komisioni Evropian u vendos nën presion të shtuar për të rekrutuar personel nga të gjitha shtetet e Unionit në përputhje me madhësinë e tyre.
- Post By Qefsere Abduli
- 12:53, 24 nëntor, 2025
Bruksel, 24 nëntor 2025 (MIA) - Eurokomisari për Buxhetin dhe Administratën Publike, Pjotr Serafin hartoi një plan për përfaqësim të drejtë të vendeve anëtare mes punonjësve në institucionet e BE-së, pasi Komisioni Evropian u vendos nën presion të shtuar për të rekrutuar personel nga të gjitha shtetet e Unionit në përputhje me madhësinë e tyre.
Të dhënat e disponueshme tregojnë se ekziston një pabarazi mes përbërjes kombëtare të personelit në institucionet evropiane dhe madhësisë së vendeve anëtare të BE-së. Kështu, sipas këtyre të dhënave, aktualisht mes punonjësve në institucionet e BE-së dominon përqindja e belgëve, italianëve dhe grekëve, ndërsa personeli nga disa vende anëtare, mes të cilëve janë Danimarka, Suedia, Holanda, Çekia, Austria dhe Luksemburgu, është "i pamjaftueshëm i përfaqësuar".
Plani i Serafinit parashikon që gjatë çdo interviste për punësim në institucionet e BE-së, mes kandidatëve të ftuar në bisedë të ketë edhe "të paktën një kandidat nga një vend pamjaftueshëm i përfaqësuar". Për më tepër, në rast të njëjtësisë së kualiteteve midis dy kandidatëve, përparësi për punësim do të ketë ai që vjen nga një vend i pamjaftueshëm i përfaqësuar.
Ky dokument u shqyrtua të premten nga Komiteti i përfaqësuesve të përhershëm të qeverive të vendeve anëtare të BE-së (Koreper), ku, sipas burimeve diplomatike, ambasadorët kërkuan "hapa më efikase" për të kapërcyer përfaqësimin e pamjaftueshëm, dhe madje u hodh ideja për punësime bazuar në kuota.
Sipas një diplomati nga një "vend i pamjaftueshëm i përfaqësuar", nuk ka garanci se propozimi i Serafinit do të mundësojë kapërcimin real të hendekut rreth përfaqësimit të papërshtatshëm.
"Problemi është shumë, shumë serioz dhe ende nuk e dimë nëse do të zgjidhet në një të ardhme të afërt", ka deklaruar diplomati për 'Euraktiv', duke vlerësuar se në afat të gjatë situata me përfaqësimin e papërshtatshëm mund të bëhet edhe më e keqe për disa vende anëtare.
Komisioni Evropian që në vitin 2022 përgatiti një strategji për korrigjimin e përfaqësimit të papërshtatshëm, por të dhënat më të fundit mbi përbërjen kombëtare të personelit në institucionet e BE-së tregojnë se hendeku në përfaqësimin e pamjaftueshëm tani është më i madh që nga viti 2017, kur filloi të përpilohej një statistikë e tillë.
Në vitin 2017, "të pamjaftueshëm të përfaqësuar" mes personelit kanë qenë 10 vende të BE-së, ndër të cilat edhe Gjermania dhe Franca, në vitin 2021 ky numër u rrit në 12, ndërsa vitin e kaluar arriti në 13.
Bazuar në madhësinë e vendeve anëtare, Komisioni Evropian ka përcaktuar normat e "pjesëmarrjes kombëtare", të cilat tregojnë se sa për qind e të punësuarve në institucionet e BE-së duhet të vijnë nga një vend i caktuar anëtar.
Pabarazia më e madhe midis normës së nevojshme dhe asaj reale të të punësuarve është te shtetasit belgë, gjë që nuk është befasi, duke pasur parasysh se pjesa më e madhe e institucioneve të BE-së janë të vendosura në këtë shtet. Sipas rekomandimeve të KE-së, norma e belgëve të angazhuar në BE duhet të jetë 3,1 për qind, ndërsa në fund të vitit 2024 ajo ka qenë 8,5 për qind.
Ekziston gjithashtu një ndryshim i konsiderueshëm në normat midis grekëve, me 3,1 për qind të preferuar dhe 6,3 për qind reale, si dhe mes italianëve me 11,2 për qind, krahasuar me 16,2 për qind që është aktualisht.
Nga ana tjetër, tre vendet e tjera të "katërshes së madhe" të BE-së janë pamjaftueshëm të përfaqësuar edhe atë Gjermania me një pjesëmarrje prej 7,9 për qind, në vend të 13,8 të parashikuara, Franca me 11 për qind, në vend të 12, dhe Spanja me 8,5 për qind, në vend të 11,4 për qind.
Nga vendet e tjera të rajonit, kroatët janë të përfaqësuar me 0,5 për qind në vend të 3,2, sllovenët me 0,8 në vend të 1,1 bullgarët me 2,4 në vend të 4,1 hungarezët me 3,0 në vend të 3,4 ndërsa rumunët me 4,5 për qind, në vend të 7,1.
Vlerësohet se arsyet për "përfaqësimin e pamjaftueshëm" janë të ndryshme, por shumë shpesh lidhen me faktorët ekonomikë, gjegjësisht me atë që pagat në nivel kombëtar në disa vende anëtare janë më të larta se ato në institucionet e BE-së. qa/
Foto: Arkivi i MIA-s