• e hënë, 23 dhjetor 2024

KE-ja mori vendime për dhënien e ndihmës për Ukrainën, Tunizinë dhe popullin e Nagorno-Karabakhut

KE-ja mori vendime për dhënien e ndihmës për Ukrainën, Tunizinë dhe popullin e Nagorno-Karabakhut

Bruksel, 22 shtator 2023 (MIA) - Komisioni Evropian sot njoftoi se ka marrë vendime  për pagesë të 1,5 miliardë eurove për Ukrainën në suaza të pakos për ndihmë makrofinanciare, pothuajse 127 milionë euro për Tunizinë për mbështetje në zbatimin e Memorandumit dypalësh për mirëkuptim dhe për ballafaqimin me migrimin ilegal, si dhe 500.000 euro ndihmë humanitare shtesë për mbështetje të njerëzve të goditur nga përshkallëzimi i armiqësive në Nagorno-Karabakh.

Siç  informon KE-ja, transha prej 1,5 miliardë euro për Ukrainën është pjesë e pakos për ndihmë makrofinanciare në vlerë të përgjithshme prej 18 miliardë euro, me të cilën BE-ja i ndihmon Kievit t'i mbulojë nevojat e tij të menjëhershme për financim në vitin 2023.

"Kjo mbështetje do t'i ndihmojë Ukrainës të vazhdojë me pagesën e pagave dhe pensioneve dhe t'i mbajë shërbimet themelore publike, siç janë spitalet, shkollat dhe vendbanimet e njerëzve të shpërngulur. Ajo, gjithashtu do t'i mundësojë Ukrainës të sigurojë stabilitet makroekonomik dhe ta rindërtojë infrastrukturën kritike të shkatërruar gjatë pushtimit rus, siç janë stacionet energjetike, sistemet e ujësjellësit, rrjetet e transportit, rrugët dhe urat", citohet në kumtesë.

Vendimi i sotëm vijoi pasi Eurokomisioni më 25 korrik konfirmoi se Ukraina vazhdon të arrijë "progres të kënaqshëm" në zbatimin e kushteve të dakorduara dhe i plotësoi kërkesat për dorëzim të informatave për shfrytëzim transparent dhe efikas  të mjeteve.

"Ukraina arriti përparim të rëndësishëm për përmirësimin e stabilitetit financiar, përforcimin e sundimit të ligjit, përmirësimin e sistemit të gazit, nxitjen e efikasitetit energjetik dhe promovimin e klimës më të mirë afariste", shtohet në kumtesë.

Siç lajmëroi raportuesi special i MIA-s nga Brukseli, Eurokomisioni vendosi të ndajë 127 milionë euro për Tunizinë për mbështetje në zbatimin e Memorandumit për mirëkuptim me BE-në dhe një pjesë të dispozitave të planit për zbatimin e problemeve me migrantët në ishullin italian Lampeduza.

Nga shuma e përgjithshme, 60-të milionë euro janë destinuar për mbështetje buxhetore për Tunizinë, ndërsa rreth 67 milionë euro janë ndihmë operative për ballafaqimin me migrimin ilegal.

Një pjesë e mjeteve janë nga pakoja e re për mbështetje prej 105 milionë euro për ballafaqimin me situatën në Lampeduza, nga të cilat duhet të sigurohen anije për kërkim dhe shpëtim, automjete dhe pajisje tjetër për rojen bregdetare tuniziane dhe marinën, mbrojtje të migrantëve në Tuniz në bashkpunimin me Këshillin e KB-së për të drejtat e njeriut (UNHCR) si dhe kthimin dhe riintegrimin e tyre në vendet e origjinës, në bashkëpunim me Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin (IOM).

Komisioni ka ndarë edhe 500.000 euro mbështetje humanitare shtesë për mijëra njerëz të cilët janë shpërngulur duke ikur nga dhuna dhe përshkallëzimi i armiqësive në Nagorno Karabakh dhe që kanë nevojë për ndihmë urgjente.

Eurokomisari për menaxhim me krizat Janez Lenarçip tha se vendimi i tillë për mbështetje të njerëzve të shpërngulur vjen pas përshkallëzimit të konfliktit në Nagorno-Karabakh, që shkaktoi pasoja serioze ndaj civilëve.

KE-ja thekson se BE-ja është në kontakt të vazhdueshëm me partnerët e saj humanitar në terren dhe është e gatshme t'u përgjigjet nevojave humanitare në rritje në rast të përshkallëzimit të mëtejshëm të situatës. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR