• e mërkurë, 27 nëntor 2024

KE-ja kërkon sanksione financiare për Bullgarinë për shkak të mospërputhjes të Direktivës së BE-së për të drejtat e viktimave të dhunës

KE-ja kërkon sanksione financiare për Bullgarinë për shkak të mospërputhjes të Direktivës së BE-së për të drejtat e viktimave të dhunës

Bruksel, 16 nëntor 2023 (MIA) - Komisioni Evropian vendosi sot ta referojë Bullgarinë në Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Evropian për shkak të mospërputhjes së legjislacionit kombëtar me Direktivën e BE-së për të drejtat e viktimave, me kërkesën për vendosjen e sanksioneve financiare ndaj vendit.

Siç lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, sipas dispozitave të Direktivës për të drejtat e viktimave, vendet-anëtare të BE-së duhej t'i harmonizojnë legjislacionet e tyre  kombëtare me të më së voni deri më 16 nëntor të vitit 2015.

Në janar të vitit 2016, Eurokomisioni dërgoi letër me raportim formal për Bullgarinë se nuk është harmonizuar me Direktivën. Pas shkëmbimeve të shumta të korrespondencës me autoritetet bullgare dhe duke i marrë parasysh përgjigjet më të reja nga Sofja, KE-ja vendosi ta referojë vendin në Gjykatën e Drejtësisë, sepse dy dispozita të Direktivës për të drejtat e viktimave ende nuk janë përfshirë në ligjvënien bullgare.

Komisioni thekson se do të kërkojë që Gjykata t'i shqiptojë sanksione financiare për Bullgarinë, për shkak të mos harminizimit të direktivës ligjvënëse të BE-së.

Direktiva për të drejtat e viktimave është instrument në nivel të BE-së sa i përket të gjitha viktimave të dhunës. Nga hyrja e saj në fuqi në vitin 2015, sipas vlerësimeve të KE-së, Direktiva kishte ndikim pozitiv ndaj të drejtave të viktimave për qasje në informatat dhe e përmirësoi qasjen e tyre në shërbimet për mbështetje.

Qëllimi i Direktivës është t'u sigurojë të gjithë viktimave të dhunës të marrin informata adekuate, mbështetje dhe mbrojtje dhe të mund të marrin pjesë në procedurën penale. Sipas Direktivës, viktimat "duhet të njihen dhe trajtohen me respekt dhe në mënyrë adekuate, të përshtatshme, profesionale dhe jodiskriminuese nga të gjithë aktorët që vijnë në kontakt me to".

Vëmendje e veçantë duhet t'u kushtohet viktimave me nevoja specifike, me qëllim që të mbrohen nga viktimizimi sekondar, urrejtja dhe frika. Këtyre viktimave gjithashtu u garantohet qasje në shërbimet e specializuara për mbështetje dhe masa të veçanta për mbrojtje.

Në vitin 2019, Komisioni ngriti 25 procedura kundër vendeve anëtare të BE-së për shkak të harmonizimit jo të plotë me Direktivën për të drejtat e viktimave. Deri në nëntor të vitit 2023, të gjitha procedurat tjera janë mbyllur, përveç asaj për Bullgarinë. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR