KE-ja e gjobiti Gugëll me 2,95 miliardë euro për shkelje të rregullave antimonopoliste
- Komisioni Evropian e gjobiti Gugëll me 2,95 miliardë euro për shkelje të rregullave antimonopoliste, duke penguar konkurrencën në tregun e teknologjive të reklamave, pavarësisht kërcënimit të presidentit amerikan Donald Tramp për vendosjen e tarifave shtesë ndaj BE-së “nëse diskriminohen kompanitë amerikane”. Gjiganti amerikan i teknologjisë favorizon shërbimet e tij në dëm të konkurrencës në tregun e reklamuesve dhe botuesve onlajn, njoftoi KE.
- Post By Qefsere Abduli
- 20:25, 5 shtator, 2025
Bruksel, 5 shtator 2025 (MIA) - Komisioni Evropian e gjobiti Gugëll me 2,95 miliardë euro për shkelje të rregullave antimonopoliste, duke penguar konkurrencën në tregun e teknologjive të reklamave, pavarësisht kërcënimit të presidentit amerikan Donald Tramp për vendosjen e tarifave shtesë ndaj BE-së “nëse diskriminohen kompanitë amerikane”. Gjiganti amerikan i teknologjisë favorizon shërbimet e tij në dëm të konkurrencës në tregun e reklamuesve dhe botuesve onlajn, njoftoi KE.
"Gugëll tani duhet të propozojë një masë serioze për të zgjidhur konfliktet e saj të interesit, ndërsa nëse nuk e bën këtë, nuk do të hezitojmë ta vendosim vetë", deklaroi nënkryetarja ekzekutive e Komisionit Evropian, Teresa Ribera.
"Tregjet digjitale ekzistojnë për t’u shërbyer njerëzve dhe duhet të bazohen në besim dhe drejtësi. Kur kjo dështon, institucionet publike duhet të veprojnë për të parandaluar që lojtarët dominues të keqpërdorin fuqinë e tyre", shtoi ajo.
Komisioni fillimisht kishte ndërmend të vendoste gjobën të hënën, por kjo u pengua nga komisioneri evropian për Tregtinë, Marosh Shefçoviç, për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme të Trampit për tarifa të reja.
Gugëll tani ka 60 ditë për t’i njoftuar Komisionit se si planifikon të zgjidhë këtë konflikt interesi dhe të eliminojë keqpërdorimin. Gjobat e sotme janë më të ulëta se gjoba prej 4,34 miliardë eurosh që ekzekutivi i BE-së i vendosi Gugëll në 2018 për keqpërdorim të dominimit të Android, por më të larta se 2,42 miliardë eurot me të cilat u përball kompania për favorizimin e shërbimit të saj për krahasimin e çmimeve në vitin 2017. qa/