• e premte, 05 dhjetor 2025

KE-ja do ta promovojë Udhërrëfyesin për gatishmëri mbrojtëse të BE-së

KE-ja do ta promovojë Udhërrëfyesin për gatishmëri mbrojtëse të BE-së

Bruksel, 16 tetor 2025 (MIA) - Komisioni Evropian sot do ta promovojë zyrtarisht Udhërrëfyesin e paralajmëruar për gatishmëri mbrojtëse, i cili pritet të vendosë plane dhe synime për forcimin e mbrojtjes dhe sigurisë së BE-së.

Udhërrëfyesi duhet të miratohet në mbledhjen e sotme të Kolegjit të komisionerëve, pas së cilës do të prezantohet pasdite në një konferencë për shtyp nga përfaqësuesja e lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas, nënkryetarja ekzekutive e Komisionit Evropian për sovranitet teknologjik, siguri dhe demokraci, Hena Virkunen, dhe eurokomisari për Mbrojtje dhe Hapësirë, Andrius Kubilius.

Kjo është një strategji e re e KE-së, e përkushtuar ndaj sigurisë evropiane, pas publikimit të Librit të bardhë për mbrojtjen në mars të këtij viti dhe pas instrumenteve "Riarmatimi i Evropës" (ReArm) dhe "Veprimi i Sigurisë për Evropën" (SAFE).

Sipas paralajmërimeve, përmes Udhërrëfyesit do të promovohet zbatimi i katër projekteve prioritare: "Roja e krahut lindor", "Muri evropian i dronëve", "Mburoja ajrore evropiane", dhe "Mburoja hapësinore evropiane për mbrojtje", si dhe angazhimi që deri në vitin 2027, vendet anëtare 40 për qind të blerjeve të tyre për mbrojtje t'i realizojnë së bashku.

Me Udhërrëfyesin nuk do të promovohet edhe mekanizmi i ri financiar, por do të parashikohet që për zbatimin e këtyre planeve të përdoren instrumentet ekzistuese: ReArm, me vlerë prej 800 miliardë eurosh për periudhën deri në vitin 2030, si dhe SAFE, për të cilin janë parashikuar 150 miliardë euro në formë huash për blerje të përbashkëta deri në fillim të vitit 2028.

Pas promovimit zyrtar të sotëm, parashikohet që Udhërrëfyesi të shqyrtohet në Samitin e BE-së që është caktuar për të enjten e ardhshme. 

Pritet që përgjegjësia për zbatimin e planeve dhe objektivave të parashikuara në dokument t’i besohet Agjencisë Evropiane për Mbrojtje, themelimi i së cilës ishte paralajmëruar në përfundimet e njërit prej takimeve të mëparshme të Këshillit Evropian.

Agjencia është konceptuar si një organ ndërqeveritar i vendeve anëtare të BE-së, që vlerësohet si një përpjekje nga ana e tyre për të pasur fjalën kryesore në realizimin e projekteve të mëdha mbrojtëse evropiane, në vend që kjo përgjegjësi t’i lihet Komisionit Evropian, që do të forcojë kështu rolin e shteteve anëtare në fushën e mbrojtjes. qa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR