• e premte, 05 dhjetor 2025

KE: Rritja ekonomike e BE-së në tre kuartalet e para të vitit 2025 i tejkaluan pritjet

KE: Rritja ekonomike e BE-së në tre kuartalet e para të vitit 2025 i tejkaluan pritjet

Bruksel, 17 nëntor 2025 (MIA) - Pas performancave të fuqishme ekonomike në gjysmën e parë të vitit të nxitur nga rritja e eksportit në pritje të rritjes së tarifave, ekonomia e BE-së vazhdoi të rritet edhe në tremujorin e tretë të vitit 2025, kështu rritja ekonomike e Unionit në tre kuartalet e para të sivjetme i tejkaloi pritjet, tregojnë të dhënat e Parashikimit ekonomik vjeshtor të Komisionit Evropian për vitin 2025.

"Madje edhe në një mjedis të pafavorshëm, ekonomia e BE-së vazhdon të rritet. Duke pasur parasysh kontekstin sfidues të jashtëm, BE-ja tani duhet të ndërmarrë masa vendimtare për ta nxitur rritjen vendore", tha eurokomisari për ekonomi dhe produktivitet Valdis Dombrovskis gjatë prezantimit të Parashikimit.

Sipas tij, për atë qëllim BE-ja duhet t'i përshpejtojë përpjekjet për përforcimin e konkurencës, duke përfshirë edhe përmes thjeshtësimit të rregullores së saj, kompletimit të Tregut të vetëm dhe nxitje të inovacioneve.

Dombrovski theksoi se KE-ja parashikon që PBB real i BE-së në vitin 2025 dhe 2026 do të rritet për 1,4 për qind, pastaj do të arrijë 1,5 për qind në vitin 2027. Trendi i tillë sipas tij, pritet që të reflektohet edhe në Eurozonë për ku parashikohet rritja e PBB-së reale për 1,3 për qind në vitin 2025, 1,2 për qind në vitin 2026 dhe 1,4 për qind në vitin 2027.

Kur bëhet fjalë për inflacionin, sipas Dombrovskis, ai pritet të vazhdojë të bie në Eurozonë nga 2.1 përqind e këtij viti në 1.9 përqind vitin e ardhshëm dhe të shohë një rritje të lehtë në rreth 2.0 përqind në vitin 2027. Megjithatë, në nivel të BE-së, inflacioni pritet të jetë pak më i lartë dhe të ulet nga 2.5 përqind në vitin 2025 në 2.1 përqind në vitin 2026, pas së cilës do të arrijë në 2.2 përqind në vitin 2027.

Parashikimi pohon se ngadalësimi gradual i rritjes së punësimit në BE që filloi në vitin 2022 vazhdoi gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, por u gjeneruan ende 380,000 vende pune.

KE pret që punësimi të vazhdojë të rritet në mënyrë të moderuar për 0.5 përqind në vitet 2025 dhe 2026, përpara se të ngadalësohet në 0.4 përqind në vitin 2027. Nga ana tjetër, shkalla e papunësisë pritet të ulet më tej nga 5.9 përqind në vitet 2025 dhe 2026, në 5.8 përqind në vitin 2027.

"Rritja e pagave në BE pritet të ngadalësohet, por të mbetet mbi inflacionin, duke përmirësuar në mënyrë të moderuar fuqinë blerëse të amvisërive", konsideron Komisioni Evropian.

Kur bëhet fjalë për deficitin buxhetor të BE-së, ai pritet të rritet nga 3,1 përqind e PBB-së në vitin 2024, në 3,3 përqind në vitin 2025 dhe në 3,4 përqind në vitet 2026 dhe 2027, pjesërisht për shkak të rritjes së shpenzimeve për mbrojtjen.

Pjesa e borxhit total të PBB-së në BE parashikohet gjithashtu të rritet nga 84.5 përqind në vitin 2024 në 85 përqind në vitin 2027, ndërsa në nivelin e Eurozonës, kjo rritje pritet të jetë nga 88 në 90.4 përqind.

"Kjo pasqyron deficitet aktuale primare dhe faktin se niveli mesatar i borxhit publik është më i lartë se rritja nominale e PBB-së. Deri në vitin 2027, katër shtete anëtare pritet të kenë raporte borxhi mbi 100 përqind të PBB-së", shtohet në dokument.

Dokumenti gjithashtu thekson se ekonomia e hapur evropiane pritet të mbetet subjekt i kufizimeve aktuale tregtare në periudhën e ardhshme, por se marrëveshjet tregtare të arritura do të lehtësojnë disa nga pasiguritë që ndikojnë në parashikimet në Parashikimin e Pranverës së këtij viti. sa/

Foto: Printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR